Pushuesit vendas nuk mjaftojnë, Covid-19 po shkatërron turizmin në Shqipëri

Turizëm

Pushuesit vendas nuk mjaftojnë, Covid-19 po shkatërron turizmin në Shqipëri

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 00:56
Foto ilustrim

Kufizimet për shkak të situatës së COVID-19 bënë që Shqipëria të përjetonte një turizëm të dobët në sezonin veror me gati përgjysmim të tij.

Të dhënat e Institutit të Statistikave përmes Anketës së Turizmit “Strukturat Akomoduese” në tremujorin e tretë të vitit tregojnë se numri i vizitorëve në këto struktura gjithsej është ulur me 43,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019. E njëjta tendencë në ulje është shfaqur edhe për net-qëndrimet, tregues që është ulur me 44,9%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Në raport me atë çfarë kanë preferuar turistët kur vjen fjala te bregdeti apo mali, dominon i pari pasi 79% e tyre kanë zgjedhur detin. Nga ana tjetër, Jugu mbetet rajoni më i vizituar, ku 42.1% e net-qëndrimeve në këtë tremujor ka qenë pikërisht në këtë rajon.

INSTAT vlerëson se nëse do të analizojmë sjelljen e vizitorëve rezident nga net-qëndrimet, vërehet se vizitorët rezidentë shqiptarë kanë preferuar të pushojnë gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator në rajonin e Jugut duke shpenzuar 5,3% net-qëndrime më shumë, në Zonat Bregdetare duke shpenzuar 10,7% net-qëndrime më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Nga ana tjetër, Veriu ka marrë goditjen më të madhe me një rënie të net-qëndrimeve me mbi 50%. Efekti negativ në frekuentimin e Veriut ndihet edhe për faktin që përfshin disa prej pikave më interesante malore dhe që zakonisht frekuentoheshin nga të huajt që për këtë sezon nuk mundën të vinin. Çekët, polaket, gjermanët apo dhe grupe të tjera të organizuara, ndër vite kanë qenë ndër vizitorët më të mëdhenj të Veriut kryesisht Theth, Valbonë.

INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të tretë 2020 është shënuar rënie e numrit të vizitorëve ku numri i vizitorëve rezident është ulur me 9,2%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019, ndërsa numri i vizitorëve jo-rezidentë është ulur me 59,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Nëse do të analizojmë vizitorët rezidentë sipas rajonit, afërsinë me bregdetin dhe llojin e strukturave akomoduese, treguesi që nuk ndjek këtë ecuri është numri i vizitorëve rezidentë të cilët kanë pushuar në Rajonin e Jugut duke u rritur me 0,4%, në Zonat Bregdetare është shënuar rritje me 25,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm” thuhet në anketë.

“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij tremujori, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 19,2%, kundrejt 38,2% që ishte në tremujorin e tretë 2019. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 18,4%, kundrejt 43,4% që ishte në tremujorin e tretë 2019” thuhet në publikimin e INSTAT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat