Futourismo është një shpresë e re për të ndihmuar rajonin tonë të rikuperojë turizmin

Turizëm

Futourismo është një shpresë e re për të ndihmuar rajonin tonë të rikuperojë turizmin

Nga: Majlinda Bregu Më: 3 mars 2021 Në ora: 10:41
Majlinda Bregu

Fituesit nga të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor u zgjodhën për zgjidhjet e tyre inovatore dhe digjitale të cilat synojnë zbutjen e ndikimit negativ të pandemisë COVID-19 në sektorin e prekur rëndë të turizmit. Çmimet u ndanë dje në konkursin e parë rajonal FUTOURISMO të zhvilluar online.

“I përgëzoj fituesit, por edhe të gjithë pjesëmarrësit e Futourismo. Pandemia u përhap në gjithë botën si zjarri në mes të një nate të nxehtë vere dhe mori jetë, punë, plane - ngriu gjithçka. Sektori i turizmit në rajonin tonë pagoi taksë të lartë. Ballkani Perëndimor është rajoni më i prekur në Evropë për sa i përket hyrjeve të huaja. Shumica e rezervimeve u anuluan, gjë që rrezikoi funksionimin normal të shumë agjencive. Vështirësitë u reflektuan në shkurtimin e numrit të stafit dhe ndryshimet në modelin e biznesit, pasi qarkullimi i vitit 2020 ishte në nivelin e 35%. Në gjysmën e parë të vitit 2020 kishte 75% rënie të vizitorëve ndërkombëtarë krahasuar me 2019-ën. Kjo është arsyeja pse e nisëm 2021-shin me Futourismo, si shpresë e re për të ndihmuar rajonin të rimëkëmbë turizmin. Shpresoj që këto projekte të vlerësuara sot të jenë hapi i duhur drejt kësaj rruge”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve Futourismo të mbajtur dje, online.

Për shkak të garës së ngushtë të shkaktuar nga cilësia e lartë e të gjitha zgjidhjeve digjitale të listës me 17 të zgjedhur, juria e pati të vështirë të zgjidhte vetëm gjashtë më të mirët dhe ndaj vendosi të shpërblejë shtatë projekte fituese ndërmjet 84 aplikimeve. Secili ekip fitues do të shpërblehet me 15,000 Euro për zhvillimin e mëtejshëm të idesë së tyre digjitale. Një thirrje e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal në sektorin e turizmit iu bë të gjithë atyre që gjendeshin në listën e ngushtë të Futourismo e që nuk arritën në TOP 7. Atyre iu kërkua të punojnë së bashku me shtatë fituesit për të zhvilluar një ide të re, inovative, duke përfshirë sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor për t`u kualifikuar më pas për mbështetje nga projekti i RCC për Turizmin.

“RCC do të vazhdojë me krijimin e një rrjeti profesionistësh në rajon. Konkurrenca e turizmit në Gjashtë Vendet e Ballkanit Perëndimor është e lidhur fort me stabilitetin dhe kjo do të vazhdojë të inkurajohet përmes Tregut të Përbashkët Rajonal. FUTOURISMO mund të rritet në të ardhmen dhe të nxisë profesionistët e rinj të investojnë energjinë dhe kreativitetin e tyre, në gjenerimin e zgjidhjeve digjiitale që mund të ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të industrisë së turizmit. Duke parë kaq shumë talent në rininë e Ballkanit Perëndimor dhe aftësitë e idetë digjitale të shprehura gjatë Futourismo, jemi të bindur se e ardhmja e turizmit të rajonit është në duar të sigurta, ”shtoi Bregu.

Më shumë informacion rreth projekteve fituese https://www.rcc.int/futourismo

Colin Ëolfe, Shefi i Njësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, në Komisionin Evropian shprehu mbështetjen e tij për konkursin, por edhe për RCC që organizon një aktivitet të tillë. “Jam shumë i lumtur që jeni duke adresuar një aspekt shumë të rëndësishëm të rimëkëmbjes dhe mbështesni të rinjtë e rajonit që potencialin në digjitalizim që rajoni ka. Le të jetë ky një planifikim i rrugëtimit tonë përpara”.

Konkursi i Futourismo nisi në 3 Shkurt 2021, me një thirrje të hapur për të gjithë duke përfshirë start-up, qendrat e inovacionit digjital, grupet shkencore, universitetet, bizneset e vogla e të mesme dhe ekipet e të rinjve. 17 projektet e përzgjedhura në listën e ngushtë, 2 nga Shqipëria, 4 nga Bosnja dhe Hercegovina, 6 nga Mali i Zi, 1 nga Kosova*, 2 nga Maqedonia e Veriut dhe 2 nga Serbia, patën mundësinë për të prezantuar idetë e tyre para anëtarëve të jurisë që kanë zgjedhur 7 idetë më të mira.

Konkursi Futourism u organizua nga projekti për Turizmin i RCC-së, Triple P, i financuar nga BE, duke synuar në gjetjen e zgjidhjeve digjitale që do të kenë një efekt pozitiv në drejtim të mbajtjes së vendeve të punës, mirëmbajtjes së proceseve të punës dhe promovimit të rajonit si një destinacion turistik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat