​Turizmi sektor kyç për zhvillim, vendi pa Agjenci Kombëtare të Turizmit

Turizëm

​Turizmi sektor kyç për zhvillim, vendi pa Agjenci Kombëtare të Turizmit

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 08:55
Ilustrim

Qeveria e Kosovës është duke punuar në ndryshimet për Ligjin për turizmin e që pritet së shpejti të shkojë në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë me projektligjin që do të kenë në dorë deputetët nuk parashihet që vendi të ketë Agjenci Kombëtare të Turizmit. Titullarja e MINT, Rozeta Hajdari thotë se vendi duhet të ketë një ofertë për turizimin që lidhin sektorët kyç dhe se nuk e sheh të nevojshme themelimin e një agjenci. Mirëpo, nga ky komunitet thonë se pa këtë agjenci nuk do të ketë zhvillim të turizmit. Shoqatat e turizmit thonë se vendi po vuan për një strategji të qartë për zhvillimin e këtij sektori.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se janë në proces të ndryshimit të Ligjit për Turizëm. Ajo ka thënë se nuk parashohin themelimin e një Agjencie Kombëtare për Turizëm, pasi beson se agjenci të tilla ka mjaftueshëm në Kosovë.

Shqipëria ka në organikën e saj shtetërore ka Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe detyrë e saj është të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik. Për të përmbushur këtë detyrë, AKT-ja aplikon një gamë të mjetesh dhe metodash. Më të rëndësishme janë organizimin dhe menaxhimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panaire ndërkombëtare turistike, promovimi online, botimi i materialeve promovuese, udhëtime familjarizuese me tur-operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe PRESS si edhe aktiviteteve të tjera. Një tjetër detyrë e AKT-së është nxitja dhe promovimi i turizmit në familje si një burim gjenerues i të ardhurave në turizëm.

Mirëpo, Hajdari shprehet se duhet të tjerë elementë të rishikohen në programin për turizëm.

Hajdari: Nuk parashohim themelimin e një agjencie për turizëm

“Ne së pari duhet të zhvillojmë politikën për turizëm, që tani është një dokument në draftim e sipër për programin për turizëm, i cili parasheh po ashtu edhe adaptimin e ligjit dhe miratimin e Ligjit për turizëm. Nuk parashohim një agjenci për turizëm sepse kemi shumë agjenci, qëllimi është që t’i racionalizojmë agjencitë dhe jo të shtojmë agjenci më shumë. Çka parashohim ne në fushën e turizmit është që të zhvillojmë zinxhirin e blerjes sa i përket zhvillimit të turizmit, duke filluar nga infrastruktura e turizmit sepse nuk është e paraparë mirë sesi mund të zhvillohet, por të shohim në programin e turizmit siç është paraparë”, tha ajo.

Sipas saj, fokusi duhet të jetë në zhvillimin e ofertave turistike, pasi këto të fundit mungojnë. Një ofertë e tillë, sipas saj, duhet të lidhin disa prej sektorëve kyç.

Hajdari: Duhet të zhvillojmë ofertat turistike

“Ne tani si shtet i Republikës të Kosovës nuk kemi ofertë për turizmin, ne duhet të zhvillojmë oferta turistike që lidhin gastronominë, artizanatet dhe turizmin malor dhe në këtë rast të rrisim infrastrukturën dhe të akomodojmë resortët turistik në vendin tonë”, ka deklaruar ajo.

Ligjin po e mirëpret gjithë sektori i hotelerisë dhe turizmit, porse disa prej tyre ndajnë mendim tjetër sa i përket nevojës për themelimin e një Agjencie Kombëtare për Turizëm.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, thotë se pa një agjenci të tillë nuk mund të zhvillohet turizmi.

Sogojeva: Pa Agjencion Kombëtare nuk zhvillohet turizmi

“Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës e mirëpret hartimin e ligjit, dhe sa më parë të kalojë në Kuvend, po ashtu edhe strategjia, sepse një vend që nuk ka strategji të turizmit, për atë veprimtari është i mangët. Benefitet janë, sa më i mirë që të del ligji, rregullohet sistemi i tregut. Ligji ka me qenë i mangët nëse nuk futen guidat, sepse ka raste që guidat e përcaktojnë edhe trashëgiminë tonë. Ka raste kur një guid e jashtme ka dhënë elemente që nuk përafrohen me realitetin tonë, për shembull në Prizren thotë se i kemi 1 mijë kisha, e si kemi në krejt Ballkanin. Pastaj, duhet licencimi, licencimi duhet të ekzistojë dhe strategjia, me e fut bashkë me ligj Agjencionin Kombëtar. Pa Agjencion Kombëtare nuk zhvillohet turizmi”, thotë ai.

Ndërsa kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti bën të ditur se së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë përfunduar hartimin e strategjisë për turizëm, dhe se pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

Hoti: Strategjia për turizmin publikohet në fund të muajit

“Ne kemi përfunduar pjesën tonë, kanë mbetur disa elemente, disa çështje të përkthimit të strategjisë. Me sa ne jemi në dijeni, strategjia vetëm ka përfunduar dhe po shpresojmë që deri në fund të muajit të publikohet, çka është diçka shumë pozitive sepse kemi punuar mjaft gjatë në atë strategji dhe po shpresojmë që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit të Kosovës, duke e ditur që turizmi do një përkushtim dhe një strategji të qartë”, thotë ai.

Ai tregon se janë fokusuar tek standardizimi i sektorëve, në mënyrë që edhe turizmi në Kosovë të jetë në nivelin e kërkuar.

Hoti: Është momenti i fundit që Kosova të ketë turizmin në standardin që kërkohet

“Kryesisht jemi fokusuar tek standardizimi i sektorëve. Po mendojmë që ka ardhur momenti i fundit që edhe Kosova ta ketë turizmin në standardin që kërkohet. Të gjitha agjencionet turistike në sektorin e hotelerisë të jenë të standardizuara, të mos punojë kush çka të dëshiron, mos të hapen agjencione pa kurrfarë kriteri, por të ketë kritere për hapje në rend të parë të një agjencioni turistik, por të dihet pastaj, ai agjencion turistik se cilat janë obligimet e tij, se çfarë mund të punojë se çka s’mund të punojë”, thekson ai.

Me qëllim të avancimit të politikave për turizmin, Qeveria Kurti ka futur miratimin e Strategjisë për Zhvillimin e Turizmit në programin qeverisës, teksa ka paraparë edhe rishikimin e Ligjit për Turizmin. Nëpërmjet këtyre politikave, qeveria synon rritjen e kontributit të turizmit kulturor e sportiv në PBV të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat