Kalaja e Beratit, atraksioni i mbi 74 mijë turistëve gjatë 2017

Turizëm

Kalaja e Beratit, atraksioni i mbi 74 mijë turistëve gjatë 2017

Më: 8 janar 2018 Në ora: 11:09
Kalaja e Beratit

Trashëgimia kulturore dhe natyrore i sollën Beratit gjatë vitit 2017 një numër te konsiderueshëm turistësh duke e kthyer në një nga destinacionet e përzgjedhur dhe të pashmangshëm për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Turizmi po rezulton sektori me të ardhurat më pozitive duke sjellë kështu rritjen e të ardhurave ekonomike lokale dhe kombëtare.

Nga të dhënat e publikuara Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Beratit shihet se në periudhën kohore janar-dhjetor 2017, janë 74019 turistë që kanë vizituar kalanë e këtij qyteti.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum.

Image

Ndodhet në pikën më të lartë të qendrës historike dhe është nga të paktat monumente të periudhës mesjetare në Shqipëri që vazhdon edhe sot të ketë një jetë intensive brenda mureve të saj rrethues. Deri në shekullin XIII qyteti mesjetar zhvillohej kryesisht brenda territorit të kalasë, ku, përveç shumë monumenteve me karakter religjioz, mbrojtës dhe inxhinierik, kishte edhe një numër të konsiderueshëm banesash.

Pamjen e sotme arkitektonike dhe urbanistike, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, kalaja e mori gjatë shekujve XVIII-XIX. Si çdo vendbanim tjetër i fortifikuar, zhvillimi urbanistik është ndikuar drejtpërsëdrejti nga forma e fortifikimit dhe sidomos e hyrjeve.

Rrjeti kryesor rrugor i lagjes është kushtëzuar në një masë të madhe nga  hyrja kryesore veriore, prej së cilës degëzohen tri rrugë kryesore që përshkojnë lagjen; rruga lindore dhe perëndimore ndjekin murin rrethues, ndër-sa një tjetër shkon në qendër drejt zonës së akropolit.

Nga këto tri arterie kryesore degëzohen një mori rrugicash, të cilat me gjarpërimet karakteristike të urbanistikës mesjetare, krijojnë një qarkullim mjaft interesant e funksional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat