Pa nisur sezoni, turistët “pushtojnë” Përmetin

Turizëm

Pa nisur sezoni, turistët “pushtojnë” Përmetin

Më: 26 prill 2018 Në ora: 22:20
Përmet

 I ka të gjitha, ajër të pastër, njerëz të mirë, vende çlodhjeje si ujërat e Bënjës, trashëgimi kulturore me kisha e xhami të vjetra, ura historike, ujërat e kristaltë të Vjosës, mundësi për sporte të ndryshme dhe verë e raki nga më e mira.

Ka atë që Noli e ka shprehur me pak fjalë: “Do të hash e të bësh qejf/ Sofrën shtruar si për mbret/ pastërtorë e për hyzmet/ të tillë gjen veç në Përmet”.

Qyteti i Përmetit është i pastër, i ndërtuar mirë, i vendosur vërtet shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, e cila rrjedh vrullshëm nëpër një hon që e ka çarë vetë.

Buzë lumit në hyrje të qytetit, ngrihet një shkëmb i madh i shkëputur nga mali.

Në majë duken rrënojat e një manastiri, vendbanim i ndonjë shenjtori të degdisur, kurse rrëzë tij rrjedh një burim me ujë të kristaltë.

Në kodrën aty më lart ngrihen gërmadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës. Këto janë pak gjëra që mund t’i gjesh në qytet, por jashtë tij ke Frashërin me 28 fshatra përreth, teqenë e famshme të Bektashinjve, është për t’u vizituar Parku Kombëtar i Hotovës, Kisha e Leusës e plot mundësi të tjera.

Ndërsa në pragfillimin e sezonit të ri turistik, nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi thotë për ATSH se janë marrë të gjitha masat që ky sezon të jetë i suksesshëm.

“Jemi në përfundim të punimeve  për të ndryshuar Përmetin në këtë sezon të ri turistik. Po vazhdojmë me investimet për rikualifikimin urban të segmentit nga qendra deri te Guri i Qytetit, (monument kulture), lulishten dhe urën hyrëse për në qytet”, – thotë ai.

“Pas pak ditësh do të bëjmë çeljen e sezonit turistik 2018, megjithëse aktualisht, fluksi i turistëve është i lartë dhe i përditshëm, aq sa hotelet janë të prenotuara, sidomos ata që janë brenda në qytet. Së shpejti fillojmë zbatimin e projektit për përmirësimin e ndriçimit të qytetit dhe lagjeve periferike. Po kështu do të nisë zbatimi i projektit ‘100 fshatrat’, i cili do të zbatohet në Leusë dhe Kosinë”, – deklaron Thanasi.

Ndërsa në ujërat termale të Bënjës, shprehet ai për ATSH, kanë filluar të vijnë flukse të larta vizitorësh që i shfrytëzojnë këto ujëra çdo ditë, apo dhe disa të vendosur aty në hotelet rreth ujit, por dhe me kampingje.

“Në zonën termale ka dhe probleme, të cilat jemi angazhuar t’i zgjidhim së shpejti si, ndriçimi, sistemimi i çadrave dhe i kamperave, rregulli dhe pastërtia për pushuesit që stacionohen aty për disa ditë. Një vëmendje kryesore bashkia jonë i ka kushtuar mbështetjes në bujqësi nëpërmjet programeve nga qeveria qendrore”, – thotë nënkryetari i bashkisë Përmet.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat