Në kërkim të produktit turistik konkurrues

Turizëm

Në kërkim të produktit turistik konkurrues

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 22:41

Jugu i Shqipërisë nuk është vetëm det edhe diell, edhe pse këto janë të parat gjëra që na vijnë ndër mend kur flasim për mrekullitë e jugut. Jugu i Shqipërisë është shumë më tepër se kaq, dhe mjafton të thuash Berat, Gjirokastër, Përmet e Sarandë dhe tërheqja është e garantuar. Por, për të rritur interesin e turistëve të huaj, por edhe për të kënaqur sa më shumë pritshmëritë e vizitorëve shqiptarë nga treva të tjera, Qeveria shqiptare ka nisur projektin e zhvillimit të integruar urban dhe korridoreve turistike që do të krijojnë paketa të plota.

 

Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda veç e veç kanë shumë për t’i ofruar një turisti. Por, imagjinoni çfarë ndodh po të lidhen bashkë, po të lidhen me bregdetin e mrekullueshëm të Jonit.

Disave mund t’u duket shumë e largët si mundësi.Nuk është tamam kështu. Fondi Shqiptar i Zhvillimit prej më shumë se 1 viti është duke punuar intensivisht për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin turistik të 4 bashkive të përmendura më sipër. Lidhja e tyre në një hapësirë të vetme turistike nëpërmjet një korridori që ofron surpriza në çdo kthesë të re mund t’i ofrojë turistit një eksperiencë që mbetet gjatë në mendje dhe në shqisa.

FSHZH po zbaton “Projektin për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” të financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Krahas ndërhyrjeve për rehabilitimin urban, parashikohet zbatimi i një pakete investimi prej 500 mijë eurosh që ka për qëllim krijimin 10 pikave panoramike përgjatë korridorit të jugut.

Më tej, do të vazhdohet me ndërhyrje përmirësuese dhe rigjeneruese të 5 siteve turistike si: gadishulli i Porto Palermos, Ishulli i Zvërnecit dhe Laguna e Nartës, Qyteti Antik i Orikut, Syri i Kaltër dhe Ujërat Termale të Bënjës.

Nga FShZh konfirmojnë se po punohet paralelisht edhe me zhvillimin e produkteve turistike dhe me ndërhyrje rehabilituese në infrastrukturën e qendrave historike në qytetet Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë. Qëllimi i këtij projekti kompleks është që të aktivizojë potencialin turistik aty ku deri tani ka mbetur ‘fjetur’ dhe të nxitet aty ku tashmë ka fluks turistik.

Në një rajon kaq të pasur në monumente natyrore, trashëgimi kulturore, art, kulturë dhe tradita do të identifikohen dhe zhvillohen 20 produkte turistike që më pas do të marketohen brenda dhe jashtë vendit. Impakti i menjëhershëm që pritet është rritja e flukseve turistike ndërkombëtare dhe për rrjedhojë rritja e të ardhurave dhe vendeve të reja të punës, për t’i dhënë hov më të madh dhe më të qëndrueshëm zhvillimit ekonomik rajonal dhe kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat