“Kala Festival”, eventi ndërkombëtar mbledh në Dhërmi mbi 2 mijë turistë të huaj

Turizëm

“Kala Festival”, eventi ndërkombëtar mbledh në Dhërmi mbi 2 mijë turistë të huaj

Nga: ATSH Më: 27 qershor 2018 Në ora: 21:45
Kala Festival

Për 7 ditë në 24 orë, plazhi i Dhërmiut u shndërrua në arenën më të madhe të muzikës në rajon me performanca të 120 DJ-ve më të njohur të botës të vendosur në disa skena përgjatë gjithë zonës së plazhit.

Publiku, mbi 2 mijë turistë, pjesa dërrmuese e të cilëve nga Britania e Madhe, ndërsa të tjerët nga rajoni e vende të tjera, ndoqi “Kala Festival”. Ky është një nga eventet më mëdha muzikore që këtë herë zgjodhi si destinacion Shqipërinë.

I pranishëm në një nga netët e këtij festivali, ministri i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se për një javë të tërë, Dhërmiu është shndërruar në një vend magjik për turistët e huaj. Ministri Klosi shprehu bindjen se afrimi i këtij festivali por edhe eventeve të tjera të standardeve ndërkombëtare gjatë tre viteve të ardhshme do të çojnë numrin e turistëve që ndjekin këto ngjarje në 70 mijë vetë.

“Sot plazhet shqiptare janë mbushur me turistë të huaj. numri i turistëve është i madh dhe ne ndihemi optimistë që vera do të jetë e magjishme këtë vit”,  tha për mediat, ministri Klosi duke shtuar se ndryshe nga çdo vit, këtë sezon Shqipëria ka  500 festa të organizuara në mbarë vendin.

Organizatorët e “Kala Festival” tregojnë pse zgjodhën Shqipërinë mes shume destinacioneve. “Kemi drejtuar festivale në mbarë botën, në Spanjë, Francë, Andora dhe donim një gjë të re. Kërkonim një vend të ri muzikor që të mblidhnim publikun e huaj. Një vit më parë erdha në Shqipëri dhe një miku im më tha që të shikoja edhe këtë vend. Kam qenë në Shqipëri 10 vjet më parë, por vetëm në Tiranë. Nuk i njihja plazhet, erdha i pashë dhe ja ku jemi këtu”, u shpreh menaxheri i “Kala festival”.

Duke iu përgjigjur medias për përshtypjet e turistëve mbi vendin tonë, ai u përgjigj se do të rikthehet sërish në Shqipëri dhe jo vetëm ai: “Nëse i pyesni ata që kanë ardhur këtu do t’ju thonë sesa e duan Shqipërinë. Ne vlerësojmë natyrën e mrekullueshme, mikpritjen e jashtëzakonshme dhe ushqimin tradicional”.

“Kala festival” është i njohur në arenën ndërkombëtare si një festival që zhvillohet në vende të ndryshme të cilat konkurrojnë për të fituar organizimin e tij në vendin e tyre. Por këtë herë organizatorët përzgjodhën Shqipërinë dhe konkretisht plazhin e Dhërmiut për të zhvilluar për një javë të tërë, performancat e DJ-ve më të mirë. /ATSH/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat