Të rinjtë francezë promovojnë Vlorën si destinacion evropian të turizmit

Turizëm

Të rinjtë francezë promovojnë Vlorën si destinacion evropian të turizmit

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 06:58
Ilustrim

800 të rinj francezë ndodhen në Vlorë për ta prezantuar atë si një destinacion të mirëfilltë në rrjetin e qyteteve turistike evropiane, në kuadër të turneut sportiv, kulturor dhe solidariteti Europ’Raid.

Të mahnitur nga bukuria e qytetit bregdetar, që ofron plazhe, monumente të shumta kulturore dhe peizazhe fantastike, ata zgjodhën përsëri këtë Vlorën për ta bërë pjesë të turit të tyre.

Europ’Raid, përfaqëson një nismë që nxit dhe konkretizon idenë për të përshkuar me makina më shumë se 10000 km rrugë përgjatë 23 vendeve evropiane dhe për t’i promovuar ato .

Jeremy, një i ri francez shprehet shumë i kënaqur që ndodhen në qytetin bregdetar.

“Vlora është një qytet dhe vend i këndshëm dhe do të kthehemi sërish vitin tjetër”, thotë Jeremy.

Ne, vijon ai, e gjetëm Vlorën të ndryshuar, rrugët janë rikonstruktuar është shumë kënaqësi të vish çdo vit, sepse gjërat po ndryshojnë.

Ndërsa, një vajzë e re , Sofia, thekson se “ne i biem përqark Evropës në kuadër të nismës tonë. Jemi të lumtur që jemi në Shqipëri dhe kemi shumë dëshirë të udhëtojmë dhe të zbulojmë vendin”.

E reja franceze tregon edhe takimin me fëmijët e një shkolle të qytetit të Fierit, duke e cilësuar si një eksperiencë shumë të bukur.

Europ’Raid konsiderohet një ngjarje unike kulturore, që synon zbulimin e një trashëgimie, një kulture, një historie, një populli …  Nga Mesdheu deri në Detin e Zi, nëpërmjet Karpateve dhe maleve Tatra, Rinit dhe Danubit, në rivierën shqiptare, Europ’Raid rizbulon peizazhin natyror, qytetet e famshme dhe vende historike europiane: si sheshin e Shën Markut në Venecia, Akropolin e Athinës, xhamitë e Stambollit, Murin e Berlinit, apo kanalet e Amsterdamit.

Europ’Raid gjithashtu do të thotë më tepër kontakte mes popujve. Çdo natë, me dëshirën për të ndarë kulturën e tyre, pjesëmarrësit zbulojnë kultura lokale të vendeve ku kalojnë.

Me makina Peugeot 205, ata duhet të udhëtojnë më shumë se 10.000 kilometra, gati 450 kilometra në ditë, duke e bërë Europ’Raid një nga turet sportive më të gjata në botë.

Turizmi shqiptar është futur tashmë në rrjetin e vendeve turistike europiane dhe botërore

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat