Shqipëria, destinacion i preferuar i të huajve, kroçerat rezervojnë portin e Sarandës për 2019-ën

Turizëm

Shqipëria, destinacion i preferuar i të huajve, kroçerat rezervojnë portin e Sarandës për 2019-ën

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 10:02
Shqipëria

Turizmi në vendin tonë ka marrë dimensione të tjera, pasi nga viti në vit vërehet qartë rritja e turistëve të huaj që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Tregues për këtë fakt janë dhe rezervimet që kanë bërë kroçerat në portin e Sarandës, ku për vitin 2019 ky port është rezervuar nga plot 80 prekje të tilla.

Lajmi u konfirmua për Agjencinë Telegrafike Shqiptare nga deputeti i zonës, Alket Hyseni i cili theksoi se turizmi në vijën bregdetare të Sarandës dhe jo vetëm, ka marrë dimensione të tjera, duke sjellë edhe një rritje ekonomike si për zonën, por edhe për vendin.

“Turizmi në vendin tonë po prek nivele mjaft të larta të cilat as që ishin menduar më parë.

Fluksi i turistëve në bregdetet tona është evident dhe ne jemi të angazhuar që të krijojmë kushtet e duhura për t’ju ofruar komoditetet si dhe mikpritjen për ta.

Prandaj, që prej hapjes së sezonit turistik në çdo pikë hyrëse të vendit, gjen të rinj dhe të reja të “Smile Albania” të cilët përveç bukurive që të japin plazhet tona, ofrojnë për pushuesit një mikpritje të ngrohtë si dhe informacionin e duhur për ta.

Vala e turistëve dhe dëshira e të huajve për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar është mjaft e lartë, saqë porti i Sarandës është i prenotuar nga kroçerat e përmasave të ndryshme edhe për vitin 2019, duke patur një impakt mjaft pozitiv në ekonominë e vendit.

Kjo na ka vënë në lëvizje për të gjetur mundësinë e investimeve për zgjerimin e kapaciteteve të portit duke zgjatur kalatën, që do të mundësonte ankorimin e tyre”, – theksoi deputeti Alket Hyseni për ATSH-në.

E kontaktuar nga ATSH, drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha ka konfirmuar shifrat e lartpërmendura, duke theksuar se kapiteneria e portit dhe autoritetet e tjera që operojnë në të, ofrojnë mbështetje maksimal për pushuesit.

“Kroçerat e mëdha me kapacitet deri në 3 mijë veta, që vijnë çdo të enjte në Shqipëri, bëjnë rezervimin e tyre 1 vit para.

Për vitin 2019 porti i Sarandës është i rezervuar nga kroçerat që do të vijnë dhe kemi filluar prenotimet edhe për 2020-ën. Ndërkohë kalendari për vitin 2018 për kroçerat është bërë dhe ka fare pak ndryshime të vogla në këtë axhendë, të cilat vijnë për shkak të motit të keq, ose falimentimit të ndonjë kompanie e cila nuk kryen më rrugët detare. Rezervimet e bëra deri tani nga kroçerat për vitin 2019, janë 80 prekje. Porti i Sarandës është gjithnjë në pritje për të mirëpritur edhe rezervimet e orëve të fundit, ku anijet me më pak turistë të cilat ne mund ti akomodojmë në kalatat tona, na njoftojnë 24 orë para se të ankorohen. Por ajo çfarë do të theksoja është se gjatë këtij viti është vënë re një shtim i turistëve të huaj që vijë nga rrugët detare”, – thekson drejtoresha Statha.

Turizmi në vendin tonë për shkak të bukurive dhe plazheve të pastra që ofrojnë plazhet, kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj të cilët kanë treguar interes të jashtëzakonshëm për të vizituar Shqipërinë dhe bukuritë që ka vendi ynë. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat