Plava dhe Gucia, “Robinat” e Alpeve shqiptare

Turizëm

Plava dhe Gucia, “Robinat” e Alpeve shqiptare

Ndue Dedaj Nga Ndue Dedaj Më 19 gusht 2018 Në ora: 18:06
Dy qytezat me 29 fshatra u zunë “robina” prej asaj kohe e deri më sot

Ka shkuar më në fund rruga e makinës nga Shqipëria në Plavë e Guci, por vonë, mjaft vonë, kur tashmë atje flitet pak e më pak shqip. Faji padyshim është i historisë së vjetër, kur Fuqitë e Mëdha me “shpirt të vogël” i prenë drurë shkurt, Kongresi i Berlinit, si të ishte duke luajtur shah në trojet tona, Plavën dhe Gucinë, ia kaloi Malit të Zi. Dy qytezat me 29 fshatra u zunë “robina” prej asaj kohe e deri më sot. Robina të një historie të nëmur, përballë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Ali Pashë Gucisë. Prej atëherë bjeshkët tona, nga më madhështoret, zunë të thirrën “Bjeshkët e Nëmuna”. Nuk i nëmëm ne, thotë një i plavas, por serbo-malazezët, pasi ushtritë e tyre mbetën në to duke luftuar kundra shqiptarëve në trojet e veta etnike.

Do të donim të niste ndryshe ky shkrim, në 2018-n, për Plavën e Gucinë, Vuthajn e Martinajn, Kukajn e Dolin, fshatra shqiptarë, të ishte një reportazh që të rrëfente turizmin e këtyre bjeshkëve, pllajave e luginaven alpine, në harmoni dhe me malazezët në ngulimet e tyre të moçme, por ja që në trevat shqiptare të kësaj ane u mbivendosën boshnjakë e malazezë duke i asimiluar shqiptarët vendas, deri në zhbimje të gjuhës e traditave të tyre. Sllavët, nga fqinjë u bënë pushtues. Mbivendosjen e tregojnë jo vetëm varret e luftërave të së shkuarës për mbrojtjen e kufijve e trojeve tona, po dhe tabelat e institucioneve sot, ku e para është ajo në gjuhën malazeze dhe e dyta me shkrim më të vogël tabelëza në gjuhën shqipe. E prapë nuk kanë rreshtur përpjekjet e shqiptarëve për identitetin e tyre kombëtar as sot e kësaj dite. Ndër episodet e shumta kësodore është dhe ky. Në fillim të viteve ’90, në kishën e Dolit, nga Dom Nikë Ukgjini u organizua një veprimtari për rehabilitimin e Gjergj Fishtës, rrjedhimisht dhe të “Lahutës së Malësisë”, ku merrte pjesë dhe hoxha Hysen Bajrami me gjithë besimtarët myslimanë. A nuk kishte shkruar poeti kombëtar: “Vërtetë na kemi Bajram e Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”? Atëbotë, kujtojnë bashkëbiseduesit tanë, boshnjakët e bënë të madhe, përfshi dhe mediat e Malit të Zi, kinse 30 mijë myslimanë shqiptarë kishin ndërruar sakaq fenë dhe ishin bërë katolikë (!)

Dritani është i pari njeri që takojmë në Plavë. Kur i themi qëllimin e vizitës sonë, të shkruanim për Plavën dhe Gucinë, ai menjëherë na thotë: “Takoni Tahir Gjonbalën”. U drejtuam te qendra e kulturës së qytetit, që të na ndihmonin ta gjenim, kur Gani Ukaj, punonjës i saj, pa e zgajur na priu me makinën e tij drejt e në Guci ku na priste Tahiri, me profesion inxhinier ndërtimi. Ai është një emër i njohur, veprimtar i thekur i çeshtjes kombëtare që kur ishte student në Prishtinë dhe merrte pjesë në demontratat e vitit 1981. Në vitin 1984 arrestohet dhe mbahet gjashtë muaj në burgun e Gjilanit me akuzën për veprimtari kundër shtetit jugosllav. Në vitin 1990, nën kryesimin e Anton Çetës, i bashkohet lëvizjes së pajtimit të gjaqeve në Kosovë, duke kryer pajtime në Drenicë, Llap, Rahovec, Reka e Keqe, Deçan etj. Veprimtarë të tillë nuk pushojnë asnjëherë si shelbues të kombit. Pyetjes sonë se çfarë është duke u bërë në Vitin e Skënderbeut, Tahiri dhe Ganiu i përgjigjen se ishte organizuar festivali mbarëkombëtar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” me artistë nga të gjitha trevat shqiptare, përfshi dhe nga Presheva, si dhe tubimi popullor festiv “Alpet Shqiptare” në Vuthaj, në dy ditët e fundit të korrikut dhe ditën e parë të gushtit. Vuthaj, fshati me popullsi qindpërqind shqiptare, që prej vitit të kaluar ka dhe qendrën e tij kulturore, është kthyer në “amfiteatrin” kulturor të shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë.

Përpos se vendlindja e disa figurave kombëtare është dhe një vend turistik i bekuar nga natyra, me kroje, rudina dhe “syrin e kaltër” të tij. Në tubimin e para tri javëve, ligjëruesit shpallën se sivjet ishin dy ngjarje të mëdha që do të kremtoheshin, Viti i Skënderbeut dhe 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Alpe vitet e fundit janë ngjitur dhe udhëheqës nga Kosova e Shqipëria, si Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Bujar Nishani, Ilir Meta etj., por dhe ish-presidentët Rexhep Mejdani e Alfred Moisiu, historianë nga Tirana e Prishtina, një koloni piktorësh, nën kujdesin e botuesit të “Tonës” Fatmir Toçi etj. Ndërsa Rexhep Qosja asht i shtëpisë, jo vetëm se ka lindur në Vuthaj dhe e kalon verën këtu, thonë bashkëtrevasit e tij. Skënder Thaçi, me origjinë nga Puka, lindur dhe ai në Vuthaj, vjen vazhdimisht në festën e krahinës, por dhe vuthjanët shkojnë te qyteza e tij turistike moderne “Magra-Austria” në bjeshkët e Rugovës, një tjetër bukuri e pashoqe e Alpeve, në hyrje të së cilës është portreti i Skënderbeut. Njerëzit e Plavës dhe Gucisë të flasin dhe për shkrimtaren dhe mësuesen e gjuhës angleze Hasnije Kuka, që ka botuar disa libra me poezi etj. Por librat e saj shkojnë dorë më dorë te lexuesi, pasi libri në gjuhën shqipe ende nuk e ka fituar betejën me historinë në Mal të Zi, përpos panaireve që zhvillohen në Ulqin. “Me rastin e 28 Nëntorit, - thotë Tahiri, - do të mblidhemi deh një herë të gjithë, i madh e i vogël, për 550-vjetorin e Skënderbeut, do të ketë një koncert dhe do të mbahen disa ligjerata kushtuar Heroit Kombëtar dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. E ndjen se dëshira e tyre për këso kremtimesh është e madhe, por mundësitë të kufizuara, më saktë, të palejuara nga shteti, pasaportën e të cilit mbajnë në xhep.

Plava dhe Gucia, në prehër të Alpeve Shqiptare, janë vazhdim i Kelmendit e Vermoshit dhe ndajnë me komunën malazeze të Andrevicës etj. Liqeni akullnajor i Plavës, mbi 6 kilometra katrorë, do të ishte më atraktiv nëse do të rrethohej nga një shëtitore e ndriçuar etj. Por urbanizimi modern nuk ka ndodhur me dy qytetet, vetëm në Guci pamë të ndërtohej një godinë luksoze, ajo e Komunës, që kontrastonte me mjedisin e varfër përreth. Në vitin 2014 Plava dhe Gucia, nga një që ishte u ndanë në dy komuna, pa u përfillur vullneti i shqiptarëve, teksa popullsia është duke u pakësuar dita-ditës. Sot Plava ka 7000 banorë dhe Gucia 2500, shumë pak krahasuar me të shkuarën, kur, në fillimet e shekullit XX, Gucia që ishte më e vogël kishte 23 000 banorë. Një shpopullim i frikshëm i këtyre bjeshkëve nga më të bukurat e Ballkanit. Mjafton të shohësh vetëm Vuthajn në rënie. Në vitin 1908, sipas Dr. Jovan Cveiq, fshati kishte 3876 banorë, ndërsa në vitet ’70 shkolla fillore kishte 165 nxënës dhe sot pas 40-50 vitesh ka vetëm 9 nxënës(!) Mësuesja Emine Ulaj ka dalë në fotografi me të vetmin nxënës të klasës së parë, Trim Gjonbalën. Duket se vetëm pishat, shkrepat dhe krojet nuk i kanë lëshuar trojet përnjimend. Në një anë pushteti serbo-malazes me asimilimin e popullatës shqiptare e në anën tjetër ikjet e vetë banorëve drejt Amerikës, por dhe drejt Tiranës, të cilët kthehen një herë në vit në festën tradicionale të Alpeve. E hidhur apo jo, kjo është e vërteta. Megjithatë lajmi është, fatmirësisht ka ndonjë vuthjan që jo vetëm nuk i ka lëshuar trojet, por dhe ka investuar ndjeshëm, si Ukë Gjonbalaj, që ka ndërtuar në Vuthaj hotelin turistik “Kulla Rosi”, duke i përshtatur kullat e vjetra autentike të Alpeve me elemente të arkitekturës moderne. Vuthjanët shpresojnë që të mos mbetet me kaq, por drejt kurorës së Alpeve Shqiptare t’i kthejnë sytë dhe të tjerë biznesmenë apo emigrantë në dhé të huaj.

Me malin e Kollatës, Majën e Rosit, Qafën e Borit, Syrin e Skafkaçit, Kroin e Ali Gucisë, Gurin e Orës në sy, së bashku me inxhinierin emigrant Mark Zefi, largohemi mes brengës së njerëzve që e flasin gjithnjë e më pak gjuhën amtare shqipe dhe shpresës se turizmi alpin është një mundësi e re zhvillimi ekonomik e integrimit etno-kulturor të shqiptarëve. Fshatrat turistike në krijim e sipër, në Vuthaj, Vermosh, Lëpushë, Valbonë, Theth, Nikaj - Mërtur, Rugovë etj. do ta ngjallin traditën e pasur shqiptare në zeje, gatime vendi, rituale, veshje, këngë, valle etj., duke pritur e përcjellë vendas dhe të huaj.

“Ardhsh i bardhë”, është një urim i kadiçëm, i pabjerrë, në Alpet tona…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat