“Mirusha”, bukuria e mbushur me mbeturina dhe pa infrastrukturë - Bota Sot
“Mirusha”, bukuria e mbushur me mbeturina dhe pa infrastrukturë

Turizëm

“Mirusha”, bukuria e mbushur me mbeturina dhe pa infrastrukturë

Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 13:59
Mirusha

Llogaritet si një nga bukuritë më të mëdha natyrore që posedon Kosova, por Ujëvarat e Mirushës dhe parku të cilit i përkasin, vazhdojnë të mos kenë infrastrukturë të përshtatshme.

Zona është në kategorinë “Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë “Monument natyror”.

Ky monument ka ngecur së zhvilluari përkundër asaj se me vendim të vitit 2012, Qeveria e pati shpallur Zonë të veçantë të natyrës.

Kjo bukuri e rrallë me kushte shumë të mira natyrore, që nuk po shfrytëzohet nga institucionet e vendit për zhvillim të turizmit, vlerësohet të jetë një humbje e madhe për vendin. Kjo, në mungesë të investimeve aty.

Të pakënaqur me gjendjen aktuale në të cilën ndodhet monumenti janë edhe vizitorët që frekuentojnë atë zonë.

Ata ankohen për mungesë të hapësirave për rekreacion, mungesën e shkallëve dhe rrugës së asfaltuar.

Kështu mërgimtari Hysni Ibrahimi thotë se Ujëvara e Mirushës nuk ngjan aspak me ujëvarat e vendeve tjera.

Ibrahimi: Këtu mungojnë shumë gjëra

“Këtu mungon infrastruktura, mungon rruga, për shembull do shkallë që kur të vijmë me e vizitu me pa. Dhe çka është më e keqja pse me u la njerëzit këtu, nuk ke vend të bësh një fotografi, për mua kjo është e tepërt. Nuk e di kush duhet me e kontrollu këtë, shteti apo komuna”, thotë ai.

Edhe Enver Sadiku i cili jeton në Londër, shprehet i zhgënjyer me institucionet e vendit, për të cilat thotë se nuk kanë investuar aty.

Sadiku: Kushte natyrore shumë të mira, investimet kurrëfare

“Kushtet natyrore shumë të mira, por investimet kurrëfare. Do të thotë edhe kjo hapësirë këtu është e uzurpuar, nuk e di por si shtet kurrfarë investimi”, thotë ai.

E për kushtet në Ujëvarën e Mirushës pati folur edhe ambasadori gjerman gjatë lansimit të Fushatës tre mujore për Mjedisin dhe Javën në Diplomaci për Klimë të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Vëmendja e tij bie mbi pastërtinë, pasi që ka thënë se gjatë një shëtitje atje ka hasur në shumë mbeturina.

I zgjënjyer me këtë gjendje, Heldt ka thënë se ka ende punë për rritjen e ndërgjegjësimit për fushën e mjedisit.

Heldt: Ujëvara e Mirushës plotë mbeturina

“Jam i shokuar kur shkojmë në male, si për shembull, dje në Ujëvarën e Mirushës dhe rrugës për atje ka pasur shishe të plastikës plotë. Njerëzit marrin shishet me vete dhe i lënë në natyrë. Cili është problemi nëse i marrin me vete për t’i hedhur. Pra, mendojmë se ndërgjegjësimi i qytetarëve është thelbësor për të bërë të qartë se mbeturinat plastike në natyrë nuk zhduken”, ka thënë Heldt.

E përgjegjësia për mungesë të infrastrukturës për një ndër vendet më të bukura të Kosovës, bie mbi institucionet përkatëse.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka shprehur gatishmëri që të ndihmojë në këtë drejtim. Porse shton se kjo bie më shumë në përgjegjësi të Ministrisë së Ambientit.

Gashi: Jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim

“Nëse komunat na drejtohen me një kërkesë për t’i mbështetur ne si Ministri, atëherë sigurisht se do ta shqyrtojmë me prioritetin më të lartë dhe jemi të gatshëm me i ndihmu në këtë drejtim” përkundër fatit që kjo bukuri e rrallë natyrore bjen pak më shumë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Ambientit”, thotë ai.

Në anën tjetër, është kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, që thotë se Ujëvarat e Mirushës ka mbetur në këtë gjendje për shkak të pamundësisë financiare.  

Morina: Ujëvarat e Mirushës ka mbetur në këtë gjendje në mungesë të financave

“Momentalisht vetëm monumentin ‘Shpella e Gadimes’ jemi duke e menaxhuar. Kurse një monument që do të na sillte shumë më shumë turistë, shumë atraktiv siç janë Ujëvarat e Mirushës, nuk kemi mundur ta fusim në funksion për arsye të mosmbështetjes financiare. Nuk janë kërkuar mjete shumë të mëdha për të filluar sepse ky monument i rëndësisë së veçantë të trashëgimisë kulturore do ta nxirrte vetveten, do të punësonte njerëz”, deklaron ai.

Morina thotë se për shkak të pamundësisë të menaxhimit publik, nuk po mund ta japin as me koncension privato-publik.

Morina: As 100 mijë euro nuk i kemi pasur për të filluar me projekt

“Fatkeqësisht nuk kemi mundur me fillu për arsye se as 100 mijë euro nuk i kemi pasur për të startuar. A ne jemi të sigurt që brenda vitit do të kemi 200-300 mijë vizitorë sepse është monument që mund të vizitohet gjatë 365 ditëve. Çdo sezonë kemi vizitorë... 3’ Për shkak të pamundësisë të menaxhimit publik, ne nuk po mund ta japim me koncension privato-publik. Kemi pasur edhe mbështetjen nga Qeveria zvicerane. Kemi tentuar t’i bindim akterët kryesorë të Qeverisë që të fillojnë me një proces të PPP-së ose diçka tjetër, mirëpo edhe ligji i natyrës i ka disa kufizime që nuk mund të koncensionohen zonat e veçanta të natyrës”, deklaron ai.

Ai shprehet i bindur se Qeveria e Kosovës do të mund të fillonte që gradualisht të përmirësojë gjendjen në të cilën Ujëvarat e Mirushës ndodhen sot. Kjo pasi sipas tij, ka modalitete të cilat mundoësojnë tërheqjen e investitorëve.

Në mungesë të përmirësimit të infrastrukturës aty ndër vite, edhe njohës të fushës së turizmit nuk kanë heshtur përballë një situate të tillë, duke bërë që këta të fundit të hartojnë projekte se si do të duhej të dukej monumenti.

Kështu, me idenë që Ujëvarat e Mirushës të shndërrohet në një Plitvicë të Kosovës dhe më gjerë, eksperti i fushës së turizmit Hysen Sogojeva, ka hartuar një projekt që rregullon në mënyrë të atillë hapësirat brenda dhe jashtë ujëvarave, duke ofruar një zhvillim të qëndrueshëm.

Ai thotë për kp se turizmi nuk ka qenë prioritet i Qeverisë, gjë që sipas tij, tregon se nuk është bërë mjaftueshëm as për Mirushën. Teksa thekson se ka ardhur momenti që të stimulohet turizmi.

Sogojeva: Investimi në Mirushë lidhë gjithë vendin

“Në momentin kur nuk është prioritet i Qeverisë, nuk ka avancime për stimulimin e turizmit si veprimtari mjaft e kërkuar, sidomos kohën e fundit, tregon se edhe qeverisja qendrore edhe ajo lokale nuk janë duke bërë mjaftë për Mirushën sepse nuk e dinë se kjo është një lloj industrie. Në qoftë se do të kishim investuar në Mirushë, kjo është një fabrikë, është një industri. Kjo krejt popullin do ta kishte lidhur nëpërmjet shitjeve, djathit, qumështit, suveniereve. Pastaj, këtu ka 61 lloje endemike që nuk i ka askush në rreth. Prandaj, këtë e bënë të veçantë që shteti, përkatësisht qeveria dhe komunat të investojnë në këtë hapësirë”, thotë ai.

Ndonëse me vendim të vitit 2012, Qeveria e pati shpallur Zonë të veçantë të natyrës, edhe sot e kësaj dite, gjendja e monumentit Ujëvarat e Mirushës nuk është është rregulluar.

Ndryshe, monumenti Ujëvarat e Mirushës njihet për një biodiversititet shumë të pasur, me ujëvara, kanjone e peisazhe shumë të bukura, shpella, mundësi kreacioni e shumë mundësi përfitimi. Lumi Mirusha gjatë rrjedhës së tij kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha dhe këtu krijon 12 ujëvara dhe 16 liqene që paraqesin një fenomen të rrallë morfo‐hidrologjik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera