Mbrojtja e mjedisit, aset për promovimin e turizmit në Shqipëri

Turizëm

Mbrojtja e mjedisit, aset për promovimin e turizmit në Shqipëri

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 14:43
Foto

“10 milion turistë është objektiv, jo vetëm sfidë! Qëllim në dukje i largët, por i realizueshëm për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila është e vendosur të ndërtojë një mekanizëm të ri në zbatim të politikave që mbrojnë mjedisin dhe për rrjedhojë promovojnë turizmin”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ministri Klosi dha detaje për mekanizmin e ri në funksion të realizimit të sfidës 10 milionë turistë brenda vitit 2020, krahas planit me 365 masa për vitin e ardhshëm.

”Fakt që e provojnë edhe rezultatet konkrete në terren, si mbyllja e guroreve të paligjshme, eliminimi i përdorimit të qeseve plastike të pariciklueshme apo vendimi që ndalon importimin e makinave me mbi 10 vite përdorim, si një nga industritë që ndot më shumë ajrin. Apo numri i turistëve, që këtë vit pati një rritje të jashtëzakonshme krahasuar me çdo vit tjetër. Por, për ti paraprirë një viti turistik edhe më të suksesshëm se ky i 2018-s, në tetor ministria e Turizmit dhe e Mjedisit zbardhi një plan prej 365 masash për 365 ditët e vitit të ardhshëm turistik, ku evidentohen problematikat me qëllim përmirësimin e tyre në 2019-n”, tha Klosi, transmeton atsh.

Sipas ministrit Klosi, kjo është një arsye më shumë për të besuar se sfida 10 milion turistë është e arritshme brenda 2020-s.

”Sfida jonë është të realizojmë 10 milion turistë dhe për të arritur këtë kemi përgatitur një listë me problematika. Diskutuam sot me partnerët e ministrisë për të ndërtuar mekanizma të vërtetë, të cilët kontrollojnë zhvillimet turistike në këto zona dhe po ashtu afrojnë brenda eksperiencës që kanë Kombet e Bashkuara në shumë aspekte sesi mjedisi të mbrohet dhe turizmi të zhvillohet”, u shpreh Klosi.

”Kemi arritur të listojmë problematikat që duke marrë mekanizma ligjorë, ndërhyrje administrative, por dhe duke e shtuar reklamimin e bukurive të natyrës shqiptare, ne padyshim do ja dalim që numri 10 milion turistë të arrihet jo vetëm në një kohë të shpejtë, por edhe me mekanizma që sigurojnë që ky turizëm të jetë i qëndrueshëm, të prodhojë ekonomi, punësim dhe që të ardhurat që fitohen nga turizmi të investohen për një Shqipëri të bukur dhe të mbrojtur edhe nga pikëpamja mjedisore”, tha ministri Klosi.

Për koordinatorin e Përhershëm të OKB-së dhe përfaqësuesin e përhershëm të PNUD-it në Shqipëri, Brian J. Williams, Shqipëria ka bërë progres në fushën e mjedisit dhe turizmit, por ajo që për të cilën duhet menduar më shumë është sesi të zhvillojmë turizmin lokal, agroturizmin. Pasi sipas tij, mjedisi është aset, që duhet mbrojtur dhe menaxhuar dhe se vetëm në këtë mënyrë numri i turistëve mund të pësojë rritje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat