Butrinti, 70 vjet monument kulture

Turizëm

Butrinti, 70 vjet monument kulture

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 14:05
Foto

Në vitin 1948, Instituti i Shkencave propozoi listën e parë të Monumenteve të Kulturës në mbrojtje nga shteti shqiptar. Butrinti këtë vit shënon 70- vjetorin e shpalljes monument kulture.

Butrinti së bashku me 106 monumente të tjera dhe qendra historike apo site arkeologjike u përfshinë në këtë listë.

Kjo listë u hartua kryesisht prej arkeologësh dhe figurash të njohura të kulturës shqiptare shumë prej tyre të shkolluar në universitetet e disa vendeve të zhvilluara të Evropës. Përzgjedhja e këtyre monumenteve u bë mbi bazën e disa kritereve themelore që respektoheshin për vënien në mbrojtje të një monumenti. Ndër këto kritere, më i rëndësishmi ishte ai i vlerave arkitektonike por pa përjashtuar edhe kriterin e gjinisë, kriterin kohor, transmeton atsh.

Muzeu Arkeologjik-Etnografik në Tiranë do të caktohej si qendër fillestare studimi, mbrojtjeje dhe konservimi për pasuritë e kulturës kombëtare materiale.

Image

Parku Kombëtar i Butrintit me rrënoja mahnitëse greke, romake, osmane, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të vendit, është një nga destinacionet që po vizitohet edhe këto ditë nga turistë vendas dhe të huaj adhurues të historisë së lashtë, pasi ky vend ofron numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet nga tempujt helenikë të shek. IV para Kr., deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat