Rritje me 64% e turistëve kinezë në Shqipëri

Turizëm

Rritje me 64% e turistëve kinezë në Shqipëri

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 12:58
Ambasadorja Jiang Yu dhe Gramoz Ruçi

“Numri i turistëve kinezë vitin e fundit u rrit 64%”, u shpreh ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu në një takim me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ambasadorja Jiang Yu falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për vlerësimet e larta të punës së tij, si edhe të marrëdhënieve dypalëshe.

Ajo nënvizoi se marrëdhëniet midis të dy vendeve zhvillohen paralel me marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët strategjikë, ShBA dhe BE.

“Kina dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim intensive, vuri në dukje ambasadorja Yu. Të dy vendet kanë nënshkruar 28 marrëveshje bashkëpunimi në 17 fusha, investimet e akumuluara kineze në Shqipëri janë dyzetëfishuar dhe numri i turistëve kinezë vitin e fundit u rrit 64%. Kina ka qenë një mik i sinqertë dhe partner i besueshëm i Shqipërisë”, tha në takim ambasadorja.

Kryetari i Kuvendit falënderoi ambasadoren Yu për misionin e saj të suksesshëm në Tiranë dhe kontributin në fuqizimin e marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh.

Ruçi vlerësoi ndjenjat miqësore, që ushqejnë dy popujt tanë për njeri-tjetrin dhe vullnetin politik të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin politik, ekonomik e tregtar dypalësh.

“Kina është një fuqi e madhe globale dhe Shqipëria është e interesuar të forcojë bashkëpunimin me këtë shtet të madh e të fuqishëm”, nënvizoi Kryetari Ruçi.

“Aktualisht ekziston një klimë shumë e mirë bashkëpunimi, me një nivel të kënaqshëm të dialogut politik dhe të shkëmbimit të vizitave në nivele të lartë. Shqipëria synon forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet: qeveritar, parlamentar, jo-qeveritar, akademik, kulturor dhe në të gjitha fushat me interes reciprok”, u shpreh Ruçi.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi edhe nismat e fundit të qeverisë kineze për zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe vendet e rajonit.

Lidhur me Nismën “16+1”, Kryetari i Kuvendit u shpreh se pala shqiptare e konsideron si një instrument të rëndësishëm dhe një platformë të rëndësishme bashkëpunimi ekonomik, komunikimi dhe mirëkuptimi kulturor, që do të përforcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Kinës, por edhe ato multilaterale mes vendeve të 16+1. Ky bashkëpunim shton mundësitë për të aplikuar dhe tërhequr investime kineze për zhvillimin e projekteve tona në infrastrukturën rrugore, detare dhe hekurudhore, zonave ekonomike, projekte të tjera në fushën e bujqësisë, energjisë, IT, arsimit, kulturës, etj.

Nismën “Një Brez dhe Një Rrugë”, Shqipëria e konsideron një mekanizëm shtesë për të nxitur zhvillimin e koordinuar dhe progresin e përbashkët në planin shumëpalësh, por edhe bilateral në aspektet ekonomike, shoqërore, mjedisit, si dhe për të inkurajuar dialogun dhe integrimin ndërmjet civilizimeve të ndryshme. Edhe kjo nisëm shikohet si një mundësi më shumë për të aplikuar dhe tërhequr investime për projektet tona në energji dhe infrastrukturën rrugore, detare dhe hekurudhore.

Kryetari i Kuvendit përsëriti kërkesën e Shqipërisë që Republika Popullore e Kinës të shohë mundësinë e rishikimit të qëndrimit ndaj Kosovës, të njohë këtë shtet të ri dhe të mbështesë atë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo do t’i shërbejë edhe forcimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si edhe paqes e stabilitetit në rajon./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat