Muzetë e Beratit, destinacioni i preferuar edhe gjatë dimrit

Turizëm

Muzetë e Beratit, destinacioni i preferuar edhe gjatë dimrit

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 07:29
Foto ilustrim

Vërtet që sezoni turistik i verës ka përfunduar, por në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat (Muzeu Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik) fluksi i vizitorëve vazhdon të jetë i lartë dhe përherë në rritje duke e krahasuar me vitin e kaluar.

Numri i vizitorëve dhe të ardhurat e realizuara në lekë në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat vazhdojnë të jetë në rritje krahasuar me një vit më parë.

Në muajin nëntor 2018 numri vizitorëve në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat ishte 2292 vizitorë, 510 vizitorë më shumë se muaji nëntor 2017.

Në muajin nëntor 2018 në Qendrën Kombëtare të Muzeve Berat u realizuan 286960 lekë të ardhura nga shitja e biletave, 62480 lekë më shumë së muaji nëntor 2017.

Gjatë periudhës janar- nëntor 2018 Qendra Kombëtare e Muzeve Berat ka pasur 58448 vizitorë, 17843 vizitorë më shumë se periudha janar-nëntor 2017.

Qendra Kombëtare e Muzeve me rritjen e numrit të vizitueshmërisë ka realizuar për periudhën janar- nëntor 2018, 9.394.300 lekë të ardhura nga shitja e biletave nga këto 2.463.020 lekë më shumë së periudha janar- nëntor 2017, transmeton atsh.

Pak histori mbi muzetë

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat