Vlorë, Kalaja e Cerjes mes historisë dhe natyrës

Turizëm

Vlorë, Kalaja e Cerjes mes historisë dhe natyrës

Më: 8 dhjetor 2018 Në ora: 07:44
Kalaja e Cerjes

Qyteti antik i Cerjes apo Kalaja e Cerjes, siç njihet nga banorët e Labërisë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe daton në shek. IV para Krishtit. Ajo është vendosur në faqen jugore të një kodre, rreth 250 m mbi nivelin e detit, në bregun e djathtë të lumit Shushicë.

Përgjithësisht e gjithë linja e fortifikimit ruhet në një deri dy radhë blloqesh, vetëm në pjesën verilindore dhe jugperëndimore ruhen dy fragmente muresh deri në tre blloqe lartësi. Teknika e ndërtimit të mureve është ajo e tipit izodomik me blloqe kuadratikë me lartësi të barabartë rreth 62 cm.

Planimetria e fortifikimit është pothuaj drejtkëndore, për t’ju përshtatur terrenit, në anën perëndimore dhe jugore në linjat më të gjata janë përdorur kthesa me kënde të drejta, ndërsa skajet veriore,verilindore dhe perëndimore janë përforcuar me kulla kuadratike dhe rrethore.

Fortifikimi duhet të ketë patur tre hyrje, një në veriperëndim, një në lindje dhe një në jugperëndim. Brenda sipërfaqes së rrethuar dallohen gjurmë banesash. Në majën e kodrës në antikitetin e vonë është ndërtuar një fortifikim me përmasa të vogla, në formën e një katërkëndëshi.

Cerja ka shërbyer si një qendër e fortifikuar që ka luajtur një rol të rëndësishëm, për kontrollin e kufirit juglindor të koinonit të Amantëve. Për komunikimin me bregun e majtë të luginës së Shushicës, në shek. III para Krishtit, poshtë kodrës së Cerjes është ndërtuar një urë, rrënojat e të cilës ruhen ende dhe njihen me emrin Ura e Bogdanit. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat