Kek i butë me qershi dhe kos – ëmbëlsi e mrekullueshme

Ushqime

Kek i butë me qershi dhe kos – ëmbëlsi e mrekullueshme

Më: 22 qershor 2019 Në ora: 11:05
Kek

Receta  e kekut me qershi dhe kos është e thjeshtë dhe e mrekullueshme. E veçantë për nga butësia që i dhuron kosi, aroma e mirë dhe ëmbëlsia e parezistueshme e qershive.

Nëse ju pëlqejnë ëmbëlsirat me bazë frutash edhe këtë kombinim duhet ta provoni patjetër. AgroWeb.org në këtë artikull ju tregon recetën e saktë të përgatitjes së këtij keku plot aromë.

Më poshtë gjeni hap pas hapi të shpjeguar se si të filloni t’a përgatisni këtë recetë.

Përbërësit

4 vezë

150 gr kos

150 gr sheqer

100 gr qershi

50 ml vaj

50 gr niseshte patatesh

250 gr miell

1 pako fryrës për ëmbëlsira

sheqer pluhur sipas dëshirës

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të nxirrni fillimisht nga frigoriferi kosin dhe vezët.

Kjo pasi këta dy përbërës duhet të jenë në temperaturë ambienti gjatë kohës së përgatitjes së kekut.

Bëjeni këtë të paktën një orë para se të filloni me përgatitjen e brumit.

Më pas lani qershitë dhe pastrojini nga bërthama që kanë brenda duke i prerë përgjysmë.

Lërini qershitë të pushojnë në një enë të veçantë dhe vazhdoni me përbërësit e tjerë.

Në një tjetër enë, hidhni vezët dhe sheqerin duke i përzier me anë të një rrahësi elektrik për të paktën 6-7 minuta.

Kur këta dy përbërës të jenë fryrë dhe të jetë krijuar një masë kompakte, shtoni brenda kosin dhe pak vaj luledielli.

Vazhdoni me përzierjen edhe për disa minuta në shpejtësi mesatare, të ulët derisa të shikoni që përbërësit janë mbledhur të gjithë bashkë.

Tek kjo enë, hidhni miellin pak nga pak me anë të një sitë të vogël kuzhine, niseshtenë e patateve dhe fryrësin e ëmbëlsirave.

Më pas merrni edhe qershitë që përgatitët më parë, pluhërosini pak me miell dhe hidhini tek ena ku përgatitët brumin.

Trazojini me anë të një luge qershitë derisa të jenë zhytur komplet tek brumi i kekut.

Zgjidhni një tavë për pjekje rreth 20-24 cm dhe  lyejeni me pak gjalp dhe miell në mënyrë që brumi të mos ngjisë.

Futeni kekun tuaj në furrë dhe lëreni të piqet për 35 minuta në temperaturë 170-180 gradë, derisa keku të fillojë të marrë ngjyrë të artë.

Kur të shikoni që këku juaj është gati, nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet për disa minuta.

Më pas keku juaj i butë me qershi mund të shërbehet sipas dëshirës duke Iishtuar edhe pak sheqer pluhur sipër për një shije të shtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat