Qofte speciale pa mish, të shpejta, të lehta dhe plot shije

Ushqime

Qofte speciale pa mish, të shpejta, të lehta dhe plot shije

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 06:07
Ilustrim

Kuzhina shqiptare është fantastike në larminë e gatimeve të saj. Të kripura apo të ëmbla, çdo recetë tradicionale shqiptare ka magjinë e saj përsa i përket shijes, e sigurisht edhe vlerave shëndetësore.

Dikur, amvisat e gatuanin këtë recetë fantastike në raste të veçanta festash apo drekash e darkash me miq për të mikpritur e kënaqur sa më shumë shijen e tyre. Sigurisht që mënyra më popullore e përgatitjes së tyre janë qoftet me mish grirë, por fantazia e amvisave në kuzhinë nuk ka kufij.

Ndaj dhe, një recetë tjetër fantastike, e shijshme, e mbi të gjitha e shëndetshme janë qoftet e shtëpisë me perime.

Më poshtë AgroWeb.org ju sugjeron një recetë, e cila përgatitet krejt të lehtë në shtëpi.

Qoftet e Shtëpisë në Kuzhinën tuaj

Përbërësit

4 kokrra patate

2 karrota

3 kunguj të njomë

4 kokrra vezë

100gr djathë kaçkavall i grirë

Majdanoz dhe nenexhik

Vaj ulliri

Kripë dhe piper

Një filxhan çaji thërrime buke (të thekura dhe të grira në rende)

Disa degëza lule lakre (nëse preferoni edhe degëza brokoli)

Disa thelpinj hudhre

Një kokër qepë

Përgatitja krejt lehtë

AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë të gjitha perimet, dhe vendosi në një enë me ujë të përvëluar.

Lërini aty për gjysmë ore.

Grini majdanozin, nenexhikun, hudhrat dhe qepën shumë hollë.

Gjysmë ore më pas nxirrni perimet nga uji i përvëluar dhe kur të ftohen shtypini në rende që të gjitha.

Pasi t’i keni grirë, sigurohuni që përmes një letre kuzhine të thani të gjitha lëngjet e perimeve të grira.

Në vijim, të gjitha perimet e grira dhe të thara nga lëngjet, qepët, hudhrat dhe erzat e grira, bashkë me kripën dhe thërrimet e bukës i hedhim në një tas ose enë të madhe.

Rrahim mirë vezët dhe i hedhim në masën e perimeve dhe përbërësve të tjerë.

Në fund shtojmë djathin kaçkavall të grirë, kripën dhe piperin dhe i përzjejmë mirë derisa të bëhet një masë kompakte.

Brumin e formuar e ndajmë toptha të vegjël dhe përgatitemi për skuqjen e qofteve.

Në këtë kohë ngrohim furrën e sobës ndërsa vendosim një tigan në zjarr dhe hedhim pesë lugë vaj ulliri.

Kur vaji i ullirit të jetë nxehur nisim skuqjen e qofteve nga të dyja anët.

Kujdes! Skuqja nuk duhet të jetë e fortë pasi pjekja përfundimtare e qofteve do të  bëhet në furrë. Sipas preferencës, qoftet mund t’i lyejmë nga të gjitha anët me pak miell para se ti hedhim në tigan për skuqje.

Pasi i kemi skuqur pak të gjitha, i heqim nga tigani dhe i shtrojmë në një tavë. I fusim në furrën e nxehtë dhe i pjekim përreth 15 minuta.

Qoftet e shtëpisë shërbehen të ngrohta dhe janë shoqëruese të shkëlyera të supave të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat