Si t’i gatuajmë makaronat si italianët

Ushqime

Si t’i gatuajmë makaronat si italianët

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 19:58
foto ilustrim

Lidhja e shqiptarëve me makaronat ka qenë gjithnjë shumë e thjeshtë. Po të harrojmë vitet e komunizmit, kur makaronat, ose produkti që quhej makarona, thjesht zjeheshin dhe haheshin me gjalpë, sot ne shërbejmë një lloj salce sipër një sasie makaronash, të çfarëdo forme dhe e përziejmë atë me djathë të grirë, të blerë në supermarket. Nuk jemi vetëm ne. Britanikët i konsumojnë njëlloj, me një salcë bolonjeze dhe djathë parmezan sipër, por kjo pjatë është e panjohur për italianët, që e kanë shpikur pasta-n.


Ja se si t’i gatuani mirë makaronat:

Së pari, përshtasni formën e makaronave me salcën e duhur.

Sipas një rregulli të përgjithshëm gatimi, salcat e lehta dhe të lëngshme, përshtaten më mirë me makaronat e holla ose të rrumbullakëta, të mbushura me ingredientë dhe erëza të lehta.

Salcat më solide dhe më të përqendruara, shpesh edhe më pikante, shërbehen më mirë me makarona që janë më të mëdha dhe më të trasha, sepse e ruajnë shijen në përbërjen e tyre.

Blini makaronat më të shtrenjta që mund të përballoni

Ka shumë rëndësi nëse janë të përbëra nga miell gruri, apo nëse janë tharë në temperatura të ulëta.

Gjithmonë përdorni një tenxhere më të madhe se sa mendoni se duhet dhe shumë kripë

Duhet të përdorni 12 gramë kripë në një litër ujë. Italianëve u pëlqen të thonë se uji  që përdoret për të gatuar makarona duhet të jetë i kripur sa deti Mesdhe. Mos harroni të  ruani një filxhan të lëngut të makaronave për të holluar salcën që do të përdorni më vonë, nëse do të jetë e nevojshme.

Sigurohuni që t’i gatuani makaronat në kohëzgjatjen e duhur

Makaronat e mbigatuara nuk janë të shijshme. Ato duhet të jenë gjithmonë jo shumë të buta për dhëmbët dhe çdo pako ka udhëzimet e kohëzgjatjes së gatimit. Ndiqini këto udhëzime dhe do të shpërbleheni. Nëse i gatuani makaronat më shumë se ç’duhet, humbasin proteinat, vitaminat dhe mineralet që ato përmbajnë.

Përgatiteni salcën në tiganin e duhur

Italianët kanë zakonin të përdorin një tigan të madh dhe të gjerë për të përgatitur salcën, në mënyrë që, pasi kullojnë makaronat, i hedhin direkt në tiganin e salcës për të bërë një shpërndarje të barabartë. Asnjëherë mos e përdorni salcën pasi i keni ndarë makaronat në pjata.

Gati për të shijuar

Shtoni një sasi të mirë djathi parmezan (përveç rasteve kur përdorni peshk apo salcë me produkte deti) dhe një lugë gjelle vaj ulliri. Përziejini mirë. Gjithmonë përpiquni të përdorni salcë të një cilësie të mirë të përbërë nga ingredientë organikë, ose më mirë akoma, përgatiteni vetë atë. Blini vajin e ullirit dhe djathin më të mirë që mund të përballoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat