Omletë me patate dhe qepë – Receta e shëndetshme e mëngjesit

Ushqime

Omletë me patate dhe qepë – Receta e shëndetshme e mëngjesit

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 14:46
Foto Ilustrim

Jo vetëm e shijshme, por plot shëndet dhe lëndë ushqyese.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm

Kjo recetë përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Ajo përgatitet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall e erëza, proshuta të ndryshme e salsiçe etj.

Mund të kombinoni edhe të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni, aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Vezë me patate dhe djathë

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për 4-5 persona dhe përveç vezëve që janë baza e omletës perimet e tjera mund të shtohen sipas dëshirës dhe atyre që keni në kuzhinë)

4 vezë

Vaj ulliri

Pak qumësht

Gjysmë qepe

Dy kokrra patate mesatare

100g djathë i bardhë ose kaçkavall i grirë

Kripë, piper, majdanoz i freskët.

Përgatitja

Grijeni qepën shumë hollë dhe patatet në kubikë ose feta të holla. Në një tigan që nuk ngjit hidhni vajin e ullirit dhe skuqni patatet.

Më pas shtoni qepën e grirë hollë.

Hidhni piperin dhe kripën dhe kavërdisini për pak minuta.

Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët, shtoni miellin dhe qumështin dhe rrihni derisa të bëhet masa e njëtrajtshme.

Hidheni masën e vezëve në tigan dhe trazojeni në sekondat e para. Në momentin që  pjesa e fundit nis të skuqet shtoni djathin, fikni zjarrin dhe vendosini një kapak.

Pas dhjetë minutash mundohuni ta ktheni omletën për ta pjekur edhe nga ana tjetër ose paloseni dhe lëreni të piqet edhe pak minuta.

Në fund vendoseni në një pjatancë, hidhini sipër pak majdanoz të grirë hollë dhe servireni me kastraveca ose domate të freskëta por edhe më pak sallatë jeshile apo sallatë spinaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat