Antipastat, pjesa përbërëse e tavolinës së festës

Ushqime

Antipastat, pjesa përbërëse e tavolinës së festës

Më: 3 janar 2021 Në ora: 10:18
Foto ilustrim

Tryezat e mëdha përtej gazit e haresë që mbledhin rreth vetes, janë edhe një shembull i mirë i shtrimit të traditës.

Janë vendi ku mblidhen kujtimet e mira, bisedat e ngrohta e ku nuk mungon asnjëherë shija.

Më e famshmja ndër to është tryeza e Vitit të Ri për të cilën angazhohet e gjithë familja.

Gjeli i detit, bakllavaja, mishi janë pjesë e pandashme e kësaj feste tashmë, por ato që befasojnë çdo vit janë kombinimet e ndryshme të pjatave të mesit.

Prandaj në këtë artikull do të flasim për ato që shpesh i quajmë antipasta të cilat konsiderohen si njohja e parë me tryezën dhe mikpritjen.

Nuk janë gjë tjetër veçse kombinimi i duhur i disa ushqimeve bashkë.

Ushqime të kompozuara në mënyrën e duhur që duket sikur i shtojnë shije edhe vetë shijes e janë kthyer në një art më vete.

Prej kohësh ajo që dëgjojmë në restorante, shtëpi apo dhe bare të vogla është servirja e antipastave që është kthyer tashmë në një traditë më vete.

Fjala vjen nga Italishtja dhe do të thotë “para vaktit”, pra të shijosh ushqime para se të nisë gostia e vërtetë.

Antipasta duhet thjesht të ngacmojë oreksin pa ju krijuar ndjesinë e ngopjes, prandaj duhet të jeni të kujdesshëm me çfarë servoni.

Suksesi i kësaj pjate qëndron pikërisht tek cilësia e produkteve dhe paraqitja e duhur e tyre.

Si fillim zgjidhni një pjatë të madhe dhe vendosni për sa persona do ta përgatisni antipastën tuaj.

Pasi secili nga të ftuarit duhet të ketë mundësinë të provojë e shijojë çdo produkt.

Si ta përgatisni?

Filloni duke zgjedhur djathin e mirë vendas kaçkavall e të bardhë duke mos harruar ta servirni të prerë në kubikë të vegjël e të barabartë.

Në një tjetër anë të pjatës tuaj shtroni proshuta apo sallame të ndryshme sipas dëshirës suaj.

Ideale në këtë pjatë do të ishin sallamet e thata dhe djathërat e stazhionuar pasi shkojnë më së miri edhe me pijet që zakonisht serviren në fundvit.

Mund të zgjidhni salami të vegjël të cilët nuk kanë nevojë të gatuhen, sallamet e veçanta me djathë brenda të cilat mund t’i skuqni apo piqni në furrë apo ato klasiket që përdorni në shtëpi zakonisht.

Mos harroni të shtoni proshutën, pasi shtrimi i një pjate të tillë e kërkon patjetër.

Provoni atë me fileto pule, proshutën krudo, apo pairizier që është një nga produktet më të shitura, sipas kompanisë së përpunimit të mishit dhe prodhimeve te sallameve e proshutave.

Kështu do të jeni të sigurt se antipasta juaj do që preferohet njësoj nga të rritur e fëmijë.

Një antipastë nuk është e plotë pa fruta, mjaltë, pak reçel, arrorë të ndryshëm si dhe domate, ullinj, kastravecë apo perime të tjera që ju i preferoni.

Kjo pjatë duhet të jetë një shportë shijesh, një dhuratë që ju i servoni të ftuarve tuaj për t’i ngacmuar oreksin.

Kushtojini gjithnjë vëmendje paraqitjes, çdo produkt duhet të jetë i menduar për kafshata të vogla gjatë kohës kur prisni të shtrohet darka e madhe.

Antipastat padyshim që janë një nga mënyrat më të shijshme për të ftuar të dashurit tuaj rreth tryezës ndaj mos nguroni t’i përgatisni.

E rëndësishme është të qëndroni sa më kreativë në kompozim dhe kombinime shijesh, si dhe të zgjidhni gjithnjë cilësinë në produktet tuaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat