Supa për oreks të mirë – Receta e shëndetshme

Ushqime

Supa për oreks të mirë – Receta e shëndetshme

Më: 10 janar 2021 Në ora: 17:46
Foto ilustrim

Kjo është një recetë e thjeshtë por e pasur në shije dhe vlera ushqyese.

Ideale për t’u përgatitur në çdo kohë e për të shoqëruar në mënyrë të shkëlqyer gatime të ndryshme e sallata të freskëta të stinës

Kjo supë shoqërohet gjithashtu në mënyrë fantastike me byrekë shtëpie apo bukë të thekur, perime të pjekura por edhe dajthra të ndryshëm e turshi shtëpie.

Më poshtë,  ju sjellim hapat e thjeshtë që duhet të ndiqni për përgatitjen e kësaj supe fantastike në shtëpi, një mënyrë e shkëlqyer për të rigjallëruar organizmin dhe kënaqur oreksin gjithashtu.

Përbërësit

 (Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

3-4 karrota

2-3 patate

1 kokërr qepë

2 lugë gjelle salcë domate

1 filxhan kafe qumësht

Kripë

Piper

2-3 lugë gjelle djathë kaçkavall të grirë

Një filxhan kafe oriz

2 lugë vaj ulliri

1 lugë gjelle gjalpë i freskët

700 ml lëng pule

Përgatitja

Si fillim, prisni në kubikë të vegjël patatet dhe karrotat.

Në një tenxhere kaurdisni qepën e grirë me vaj ulliri dhe gjalpë, më pas shtoni karrotat dhe patatet e prera në kubikë.

Kaurdisini të gjitha  bashkë, shtoni kripën dhe salcën e domates. Vijoni t’i kaurdisni  dhe më pas shtoni lëngun e pulës.

Lërini të ziejnë të gjitha bashkë derisa perimet të jenë zbutur.

Shtypini patatet dhe karrotat përmes një luge dhe shtoni orizin derisa ky i fundit të ziejë plotësisht.

Në fund shtoni qumështin lëreni supën të ziejë për pak dhe në fund shtoni djathin e grirë kaçkavall, i cili i jep supës një shije shumë të veçantë, përziejeni mirë dhe supa është gati.

Kur ta servirni spërkateni sipër me piper dhe borzilok të prerë shumë imët nëse preferoni.

Këtë recetë nëse dëshironi mund ta përgatisni edhe duke kombinuar perime të tjera shtesë siç janë kungulleshkat, specat apo edhe lulelakrat e brokolit.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat