Tortë me peta

Ushqime

Tortë me peta

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 18:09
Foto ilustrim

Përbërësit për tortë me diametër:

24 cm për 10-12 persona

Përbërësit për petët:

500 g miell 0
300 g gjalpë i ftohtë nga frigoriferi, i prerë në kubikë 1 cm
1 vezë
1/2 gotë ujë (125 ml)
1 lugë e madhe uthull e bardhë

Përbërësit për kremin pastiçier:

500 ml qumësht me yndyrë
4 të verdha veze
6 lugë miell
200 g sheqer
1 bustinë vanilje

Kremi me gjalpë:

200 g gjalpë shumë i butë si krem
100 g sheqer

Na duhet gjithashtu:

250 g reçel boronice ose reçel tjetër që të mos jetë shumë i ëmbël

Përgatitja:

1. Gjalpin e ftohtë, të prerë në kubikë bashkë me miellin i hedhim në një tas të madh dhe i përziejmë me majat e gishtave për të krijuar thërrime. Shtojmë vezën dhe i përziejmë akoma.

Përziejmë ujin me uthullën dhe i shtojmë në tas pjesë-pjesë derisa të shohim që kemi një brumë të butë, por që nuk ngjit. Ndajmë brumin në 10 topa të barabartë, që i vëmë në frigorifer të pushojnë për 30 minuta, të mbuluara me plastmasë kuzhine.

3. Ndezim furrën në 220° C dhe fusim në të dhe tavën me letër furre, që të rrijë e ngrohtë deri në momentin kur do të përdoret.

Përgatisim petët:

Marrim nga frigoriferi vetëm një top brumi, e hapim me petës me pak fare miell, në formë të rrumbullakët, me diametër afërsisht 26 cm. E vëmë petën në tavën e ngrohtë sipër letrës, e presim me thikë në formë të rrumbullakët, duke përdorur një pjatë të përmbysur ose fundin e një tave me diametër 24 cm, duke i lënë anësoret e brumit po në letër që të piqen edhe ato. E vëmë në furrë për 4-5 minuta ose derisa të shohim që peta ka marrë ngjyrë të artë. Ndërkohë që peta e parë piqet, hapim menjëherë të dytën dhe kështu vazhdojmë edhe me topat e tjerë të brumit.

Si përfundim, kemi: 10 peta dhe anësoret e brumit, të cilat do të thërrmohen. I lëmë mënjanë.

Përgatisim kremin pastiçier:

Në një tas, përziejmë të verdhat e vezëve me gjysmën e sheqerit, shtojmë miellin, i përziejmë dhe i lëmë mënjanë. Ngrohim qumështin me vaniljen dhe, sheqerin që na ka mbetur, kur të fillojë të marrë valë, e hedhim në tasin ku kemi përzierjen me vezët. I përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë dhe më pas e hedhim të gjithë masën në tenxhere. E vëmë në flakë të ulët të marrë valë, duke e përzier vazhdimisht me rrahësen e vezëve me dorë. E heqim nga zjarri sapo të shohim që është trashur dhe e lëmë të ftohet duke e spërkatur sipër me sheqer pluhur dhe një copë të vogël gjalpë ose në të kundërt e mbuloni me plastmasë kuzhine në kontakt direkt me kremin.

Kremi me gjalpë: gjalpin e rrahim me rrahësen elektrike sa të bëhet si krem.

Shtojmë sheqerin me lugë, pa ndërprerë rrahjen e tyre.

Kur kremi pastiçier të jetë ftohur plotësisht, e shtojmë kremin me gjalpë me lugë dhe i përziejmë me spatul.

Kompozimi i tortës:

Marrim pjatën e madhe ku do ta prezantojmë, vëmë një petë të pjekur, pak krem, një petë tjetër, krem, e kështu me radhë, por duke pasur kujdes që mbi petën e tretë dhe të parafundit të vëmë një shtresë marmelatë, duke e përfunduar sipër me krem dhe

anësoret gjithashtu. Copat e petave që kishim prerë nga anësoret dhe një petë, i thërrmojmë dhe me to e mbulojmë tortën sipër dhe anash. Tortën e lëmë të pushojë në temperaturë ambienti për 5-6 orë dhe më pas në frigorifer deri në momentin që do të shërbehet. Mirë është të konsumohet brenda 2 ditësh që petët të jenë akoma krokante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat