Angjiinarja e Myzeqesë – Rizbulimi i një historie të hershme

Ushqime

Angjiinarja e Myzeqesë – Rizbulimi i një historie të hershme

Më: 6 mars 2021 Në ora: 06:47
Angjinarja

Mesdheu është vendlindja e angjinares, gjë që shpjegon arsyen përse ajo luan një rol të rëndësishëm në kuzhinën mesdhetare. Angjinaren e gjejmë në mbarë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikë. Shqiptarët kanë një histori të gjatë në kultivimin e angjinares, por konsumimi ishte i ulët deri të paktën në vitet 90. Pikërisht në atë kohë, shqiptarët zbuluan vlerën e madhe të argjinares që kishte zënë vend në tryezat e fqinjëve tanë të përtejdetit.

Kjo shtyu fermerët të mbjellin gjithnjë e më shumë argjinare për eksport, por edhe për të plotësuar nevojat për konsum të brendshëm, që vinin në rritje. Vitet e fundit, kultivuesit e angjinares janë të shpërndarë nga Divjaka në Tërbuf, nga Lushnja në Fier e Berat.

Fushat e Myzeqesë tashmë janë kthyer në burimin kryesor të këtij produkti në vend.
Angjinarja përbën një minierë ari, jo vetëm për konsumatorët që marrin përfitime të mëdha shëndetësore, por edhe për fermerët që mund të fitojnë më shumë. Sot, një kilogram angjinare vendi kushton 400 Lekë dhe bëhet fjalë për çmim shumice. Emri i angjinares është një histori më vete, pasi variantet shkojnë nga angjinare tek argjinare dhe madje e gjen edhe me emrin e italianizuar ‘artiçok’.

Pjesa e ngrënshme e angjinares ndodhet tek pjesa e kurorës së luleve para çeljes. Koha e kultivimit të angjinares është thelbësore, sepse pasi lulet kanë çelur, angjinarja forcohet dhe është e pamundur të konsumohet. Një nga pjesët më të shijshme është pjesa e zemrës se angjinares nga ku çelin të gjithë sythat e kurorës së saj. Në fakt kjo pjesë konsiderohet shumë e çmuar dhe shpesh kushton më shtrenjtë. Angjinarja ka dhunti të shumta. Disa mund ta konsiderojnë atë perime, por zyrtarisht është një lloj gjembi i pazakontë. Angjinarja konsumohet kryesisht për shkak të vlerave të mëdha të fuqizimit të sistemit imunitar, uljes së kolesterolit dhe mbrojtjes nga diabeti, arterioskleroza dhe sëmundjet e zemrës.

Angjinarja ka fituar famë edhe për aftësitë e saj në detoksifikimin e trupit, përmirësimin e shëndetit të mëlçisë dhe tretjes. Ajo luan një rol kyç për shëndetin e zorrëve, por edhe shërimin nga diarea, konstipacioni dhe sëmundjet e zorrëve. Kërcelli i famshëm ul tensionin e gjakut, të ndihmon me dhimbjen e kokës nga pirja e alkolit dhe stimulon urinimin.

Vlerat ushqimore të angjinares
Angjinarja është e pasur me yndyrna të ngopura dhe kolesterol, por edhe me fibër, minerale dhe vitamina si C, B-6,B-12, A, E, D, tiaminë, riboflavinë, niacin dhe folat. Për më tepër në të gjenden edhe minerale të çmuara si kalciumi, hekuri, zinku, kaliumi, mangani, fosfori dhe zinku.

Përfitimet shëndetësore të angjinares
Parandalon radikalet e lira

Angjinarja ka nivelet më të lartë të antioksidantëve në krahasim me perimet e tjera. Nga 1.000 bimë të ndryshme që konsumohen nga njeriu, ajo renditet në vendin e shtatë sa i përket nivelit të lartë të antioksidantëve. Këto të fundit janë një nga elementët më të nevojshëm në të gjithë linjën e mbrojtjes së sistemit imunitar ndaj radikaleve të lira, të cilat janë në gjëndje të shkaktojnë një sërë sëmundjesh.

Shëndeti i zemrës
Angjinarja i bën mirë zemrës, ndaj duhet shtuar patjetër në dietën tuaj. Disa përbërës në gjethet e argjinares kanë aftësinë të ulin nivelin e kolesterolit të keq dhe rrisin nivelin e kolesterolit të mirë.

Defektet në lindje
Sikur të mos mjaftonin përfitimet e mësipërme, angjinarja u vjen në ndihmë grave shtatzëna që të lindin fëmijë të shëndetshëm. Niveli i lartë i acidit folik që gjendet tek argjinarja mund të parandalojë defektet e tubit neural tek të sapolindurit.

Tensioni i gjakut
Angjinarat janë një burim i pasur i kaliumit, mineralit të vecantë që ka një impakt pozitiv në disa organe të trupit. Kaliumi ndihmon në neutralizimin e impaktit të natriumit të tepërt në trup që rrit tensionin e gjakut në trup. Angjinara shërben si zgjerues i enëve të gjakut.

Shëndeti i mëlçisë
Angjinaret janë përdorur prej shekujsh si tonik për mëlcinë. U deshën kohët moderne që studimet shkencore të konfirmonin ndikimin e madh që argjinaret kanë tek mëlçia. Dy antioksidantë të argjinares, cinarina dhe silimarina përmirësojnë shëndetin e përgjithshëm të mëlçisë, duke reduktuar prezencën e toksinave dhe larguar ato nga mëlçia. Fshikëza e tëmthit është gjithashtu në shënjestrën e vlerave të argjinares. Kjo e fundit qetëson fshikëzën e inflamuar dhe ofron zgjidhje për bllokimin e organit duke e rikthyer në normalitet. Angjinarja stimulon prodhimin e sekrecioneve dhe lëngjeve gastrike dhe ndihmon me tretjen.

Angjinarja pas alkolit
Sic e përmendëm edhe më lart, angjinaret ofrojnë shpëtim për mëlçinë dhe arrijnë të zhbllokojnë çdo gjë në trup, dhe largojnë toksinat nga gjaku. Si rrjedhojë angjinarja është kura ideale për dhimbjet e kokës pas pirjes së alkolit. Ka disa njerëz që përtypin disa gjethe të argjinares pasi kanë kaluar një natë intensive në praninë e alkolit.

Shëndeti i kockave
Angjinarja është një nga ushqimet më të mira që mund të gjeni në market. Nëpërmjet saj mund të merrni vitamina dhe minerale si magnezi, fosfori dhe mangani. Këto minerale janë të çmuara për shëndetin e kockave dhe për të luftuar sëmundje si osteoporoza.

Shëndeti i trurit
Angjinaret janë të rëndësishme për shëndetin e trurit. Duke qenë se ato zgjerojnë enët e gjakut, niveli i oksigjenit që arrin në tru është më i lartë e si rrjedhojë përmirëson aftësitë e tij. Një tjetër kuriozitet është që fosfori që gjendet tek argjinarja gjendet edhe tek qelizat e trurit.

Konsumimi i angjinares
Para se të gatuani angjinaren, duhet ta lani mirë dhe të prisni gjëmbat e vegjël në fund të cdo gjetheje. Angjinaret mund t’i zieni në nje enë me ujë duke shtuar erëza dhe barishte sipas preferencave. Pas gatimit mund t’i konsumoni të ngrohta ose të ftohta. Ju bëftë mirë!/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat