Budingu me kakao në vetëm 10 minuta

Ushqime

Budingu me kakao në vetëm 10 minuta

Më: 24 mars 2021 Në ora: 22:42
Foto ilustrim

Kjo është një recetë shumë e thjeshtë, të cilën fëmijët e adhurojnë. Është një alternativë shumë e mirë për të mos blerë buding të gatshëm dhe është praktike, sepse përbërësit i kemi gjithmonë në shtëpi. Për këto arsye, mendova t’jua tregoja edhe juve.

Përbërësit:
1 litër qumësht me yndyrë ose i skremuar • 200g sheqer • 55-60g miell • 60g kakao e hidhur • një majë luge kripë • lëkura e grirë e një kokrre limoni bio ose 2 bustina vanilje ose aromë tjetër sipas dëshirës

Përgatitja:

1. Vëmë qumështin të ngrohet.
2. Në një tas hedhim nëpërmjet një site kakaon dhe miellin, shtojmë sheqerin, kripën, lëkurën e grirë të limonit ose vaniljen dhe i përziejmë me pirun. Pasi qumështi është vakur (nuk duhet të nxehet), marrim një garuzhde dhe duke e përzier shpejt me rrahësin e vezëve, e hedhim në tasin ku kemi përbërësit e tjerë. Masën e krijuar e shtojmë në tenxheren me qumështin e vakur, e përziejmë vazhdimisht me rrahësin e vezëve dhe e lëmë në zjarr derisa të marrë valë.
3. E hedhim në formën e madhe për buding ose në forma të vogla. Format i lagim më parë me ujë të ftohtë, që pudingu të dalë më lehtë kur ta përmbysim në pjatë.
4. E lëmë të ftohet në temperaturën e ambientit dhe pastaj e futim në frigorifer për të paktën tri-katër orë përpara se ta shërbejmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat