Receta e veçantë e supës me arra dhe hudhra

Ushqime

Receta e veçantë e supës me arra dhe hudhra

Më: 14 prill 2021 Në ora: 15:05
Foto ilustrim

Ndiqni më poshtë recetën e vjetër të Supës me Arra dhe Hudhra, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejt.

E lehtë në shije dhe me një aromë të mrekullueshme që të tërheq menjëherë drejt tryezës është supa e pulës me arra dhe hudhra.

Receta e kësaj supe është pjesë e traditës së nënave shqiptare. Dikur ajo gatuhej në raste të veçanta, sidomos kur shtëpinë e vizitonin miq e mysafirë.

Nuk ka fjalë për të përshkruar shijen fantastike të kësaj supe, përbërësit e të cilës kombinohen në mënyrë të shkëlqyer me njëri-tjetrin.

Mishi dhe lëngu i pulës kombinuar me arrat është një mrekulli për shijen, por mbi të gjitha për shëndetin falë vlerave të larta ushqyese që ka.

Kjo supë është ideale për çdo ditë. Jo vetëm që të kënaq nepsin dhe oreksin me shijen e saj fantastike por ndihmon dhe mbron organizmin.

Ndiqni më poshtë recetën e vjetër të Supës me Arra dhe Hudhra, e cila përgatitet krejt lehtë dhe shpejt.

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

Një pulë mesatare

3-4 lugë vaj ulliri

Pak gjalpë i freskët

1 filxhan çaji me arra të thërrmuara

2 lugë miell gruri

2 thelpinj hudhër

Lëng limoni i freskët

Kripë

Piper

Përgatitja

Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm pulën dhe e ndajmë në copa.

Vendosim një tenxhere në zjarr, shtojmë copat e pulës dhe vajin e ullirit.

I kaurdisim për pak dhe më pas shtojmë ujë derisa copat e mishit të mbulohen tërësisht.

Pasi pula të ketë zierë, vendosni një tigan në zjarr, shtoni pak vaj ulliri dhe miellin, kaurdiseni derisa mielli të marrë një ngjyrë të artë.

Në këtë moment largojeni tiganin nga zjarri. Merrni pak lëng nga tenxherja ku ka zierë pula, shtojeni tek mielli dhe kaurdiseni derisa masa të behet e trashë, e njëtrajtshme.

E shtojmë këtë masë tek tenxherja ku kemi pulën me lëngun e saj. E vendosim në zjarr dhe e trazojmë në mënyrë që të mos bëhen kokërriza dhe supa të nisë të trashet.

Në fund shtojmë arrat e thërrmuara, hudhrat e shtypura, kripën, i lëmë të ziejnë për pak minuta dhe supa është gati.

Kur e shërbejmë i shtojmë piper, disa pika lëng limoni të freskët.  Nëse dëshironi, për më shumë shije mund t’i shtoni edhe disa pika gjalpë të shkrirë.

Kjo supë shoqërohet në mënyrë të mrekullueshme me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, bukë të thekur por edhe byrekë të ndryshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat