Krem qumështi i pjekur – Delikatesa perfekte me fruta

Ushqime

Krem qumështi i pjekur – Delikatesa perfekte me fruta

Më: 2 maj 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Mund ta shoqëroni me fruta të freskëta, me reçelërat e tyre, me çokollatë të shkrirë apo karamel, ju mbetet vetëm të zgjidhni se cila ju pëlqen më shumë.

Kremi i qumështit i pjekur është një recetë shumë e thjeshtë për t’u përgatitur, ama me një shije tunduese.

Bashkimi i qumështit, sheqerit dhe panës krijon një ëmbëlsirë kremoze dhe të butë, që do t’iu shkrihet në gojë.

Përbërësit për 4 racione

300 ml pana

125 ml qumësht

70 g të bardha vezësh (afërsisht dy)

70 g sheqer

½ e pakos me vanilie

Një majë luge kafeje me kripë

Përgatitja

Në një tenxhere hidhni qumështin dhe panën dhe vendoseni në zjarr mesatar.

Më pas shtoni vaniljen dhe me telin e kuzhinës rrihini, në mënyrë që vanilja të tretet me qumështin dhe panën.

Shtoni sheqerin dhe kripën, masa duhet të qëndrojë në zjarr derisa të fillojë të zjejë.

Përzjeni herë pas here që të siguroheni që kokrrizat e sheqerit të jenë shkrirë plotësisht.

Më pas hiqeni nga zjarri dhe lëreni që të ftohet, duhet të afrohet me temperaturën e ambjentit.

Në këtë pikë duhet të shtoni të bardhat e dy vezëve, kini kujdes që masën ta përzjeni gjatë gjithë kohës.

Duhet të siguroheni që të bardhat e vezëve të jenë bashkuara plotësisht me përbërësit e tjerë.

Këtë masë ndaheni në katër tasa të vegjël alumini me ndihmën e një site apo kulloreje të vogël, që të shmangni kokrrizat e patretura.

Tasat vendosini në një tavë mesatare dhe shtoni ujë të nxehtë derisa të keni mbuluar ¾ e tasave.

Piqeni kremin e qumështit në banjomari për 65 minuta me 160 gradë Celsius.

Kremi i qumështit duhet të jenë mpiksur totalisht dhe të ketë marrë një faqe afërsisht të artë në sipërfaqe.

Pasi të jenë pjekur, nxirrini nga furra dhe lërini në tavë derisa të jetë ftohur uji.

Më pas vendosini në frigorifer përreth dy orë.

Kur t’i shërbeni, nxirrini nga frigoriferi dhe me ndihmën e një thike të lagur me ujë të ngrohtë, ndajeni nga buzët e tasit.

Kthejeni në një pjatë njësoj siç veprohet me krem karamelin.

Mund t’i shtoni fruta të karamelizuara, ose të freskëta të stinës sipas preferencës.

Kjo ëmbëlsirë mund të ruhet deri në dy ditë në frigorifer nëse është e mbuluar mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat