E vetmja zgjidhje për temperaturat e larta; Receta e kasatës me çokollatë dhe mjedra

Ushqime

E vetmja zgjidhje për temperaturat e larta; Receta e kasatës me çokollatë dhe mjedra

Më: 9 maj 2021 Në ora: 20:13
Foto ilustrim

Përbërësit për tavë drejtkëndore 25x10 cm e për 8-10 persona: 300 g çokollatë e bardhë, e grirë në thërrime të vogla,3 të bardha veze,80 g sheqer, 300 ml pana nga të cilat 150 ml të jetë e ftohtë nga frigoriferi,250 g fruta pylli,2 fletë xhelatine,4 lugë marmelatë mjedrash ose boronice.

Përgatitja: Në një tas me ujë të ftohtë, vëmë fletët e xhelatinës, që të hidratohen për 10 minuta. Gjysmën e panës (150 ml) e ngrohim në flakë të ulët, në një tenxhere, dhe sapo të fillojë të krijojë flluskat e para, e heqim, shtojmë fletët e xhelatinës të shtrydhura nga uji i tepërt dhe i përziejmë me lugë druri. E hedhim menjëherë në tasin ku kemi çokollatën e grirë, e përziejmë me rrahësen e vezëve me dorë ose me lugë druri dhe e lëmë mënjanë që të ftohet.

Me rrahësen elektrike, rrahim 150 ml pana nga frigoriferi derisa të bëhet si e ngrirë dhe e shtojmë në tasin ku kemi çokollatën me panën tashmë të ftohtë. I përziejmë me kujdes me spatul ose lugë druri. E lëmë mënjanë. Me rrahësen elektrike, bëjmë marengë me të bardhat e vezëve, shtojmë sheqerin dhe i rrahim edhe një minutë. Shtojmë gjysmën e mjedrave dhe i përziejmë me spatul. E hedhim tani në tasin ku kemi çokollatën me panën.

I përziejmë me spatul, me kujdes. Shpërndajmë kremin nëpër forma të vogla ose në një tavë të veshur me plastmasë kuzhine (për ta pasur më të thjeshtë për ta hequr ëmbëlsirën). Vëmë tavat/tavën në ngrirje për 4 orë që të ngurtësohet. Përpara se të shërbejmë ëmbëlsirën, ngrohim marmelatën me 2-3 lugë ujë. E heqim nga zjarri pas pak minutash dhe e kalojmë në sitë që t’i heqim kokrrat e marmelatës (jo e domosdoshme). Shërbejmë ëmbëlsirën, të cilën e kemi nxjerrë nga ngrirja 15 minuta më parë, me marmelatën dhe gjethe mente për zbukurim. Nëse e dëshironi shumë të ftohtë, mund ta ruani në frigorifer ose në ngrirje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat