Bukëzare Elbasani – Ëmbëlsira tradicionale nga Shqipëria

Ushqime

Bukëzare Elbasani – Ëmbëlsira tradicionale nga Shqipëria

Më: 18 maj 2021 Në ora: 15:05
Foto ilustrim

Receta e bukëzares është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur ndaj dhe nuk do t’ju mundojë së tepërmi.

Recetat tradicionale jnë një pikë e fortë e Shqipërisë, saqë tanimë janë kthyer në një faktor ndikues për ecurinë e turizmit.

Çdo qytet i vendit tonë ka një ëmbëlsirë apo gatim me të cilin shquhet.

Bukëzare, është një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare e cila përgatitet më së shumti në Elbasan.

Përbërësit

5 vezë

580g sheqer

750g miell

1 pako me fryrës ëmbëlsirash

Pak kripë

Për sherbetin

620ml ujë

680g sheqer

Përgatitja

Ndizni furrën në 180 gradë kështu do të jetë e ngrohtë kur të piqni ëmbëlsirën tuaj.

Si fillim nisni me ndarjen e vezëve në dy tasa të mëdhenj, të bardhat në një dhe të kuqet në një tjetër.

Përdorni rrahësin elektrik pasi kështu do të shkurtoni kohë, por edhe nuk do të lodheni.

Rrihni të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të formoni merengen e cila nuk shkëputet nga tasi.

Nëse e shihni që ajo rrëshqet apo nuk është e mpiksur si duhet, duhet ta rrihni akoma.

Pasi të keni mbaruar me merengen shtoni të verdhat e vezëve dhe përsëri të rrihni masën.

Në fund do të keni një krem të njëtrajtshëm dhe plot volum.

Kini kujdes që të mos e teproni me rrahjen e vezëve, pasi është shumë e rëndësishme për këtë recetë që volume i vezëve të mos bjerë.

Kështu ëmbëlsira do të dalë më e fryrë dhe e poroze.

Vazhdoni me sheqerin, i cili duhet të shtohet ngadalë tek vezët dhe të rrihet derisa kokrrizat e tij të jenë tretur.

Kjo i jep dhe bukëzares shijen fantastike dhe karakteristike nga ana tjetër brumi i saj rezulton i butë dhe elastik.

Më pas shtoni fryrësin për ëmbëlsira dhe pasi ta keni përzierë mirë e ka radhën mielli.

Miellin ta sitni para se ta shtoni tek masa, kështu brumi do të ketë një butësi të mrekullueshme.

Kur të keni mbaruar me brumin e bukëzares ai duhet të ketë një shkëlqim, që vjen si rezultat i rrahjes për një kohë të gjatë të vezëve me sheqerin.

Lyeni një tavë me gjalpë apo vaj dhe kaloni aty brumin.

Futeni për ta pjekur në furrën e ngrohur derisa sipërfaqja e ëmbëlsirës të ketë marrë një ngjyrë të artë të ndezur.

Ndërkohë që bukëzarja piqet ju përgatisni sherbetin.

Kjo ëmbëlsirë mund të shijohet edhe pa sherbet, por nëse doni që të jetë më e plotë mos e anashkaloni këtë hap.

Në një tenxhere hidhni ujin dhe aty tresni sheqerin e nevojitur.

Më pas vendoseni në zjarr dhe lëreni të ziejë plotësisht.

Kur ëmbëlsira të jetë gati lëreni të ftohet, priteni në rombe dhe hidhini sherbetin e nxehtë.

Më pas lëreni që buka ta pijë sherbetin dhe të ftohet dhe më pas mund ta shërbeni./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat