By-Passi i Vlorës përfundon përpara afatit

Vlora

By-Passi i Vlorës përfundon përpara afatit

Më: 23 mars 2019 Në ora: 16:10
By-Passi i Vlorës

Punimet për By-Passin e Vlorës po ecin me ritme të shpejta. Deri tani firma kontraktuese ka realizuar 17% të volumit të punës. Gjurma e rrugës është gati e përfunduar në të gjithë gjatësinë e saj. Në pikën zero të punimeve, në rrethrotullimin në fund të autostradës Levan-Vlorë po punohet për kanalet kulluese.

Nga Pusi i Mezinit dhe deri në Kaninë, janë afro 14 km të përfunduar me gërmime, dhe gati për mbushjen e rrugës. Ky është kantieri i parë i punimeve. Janë 30 kilometra të cilat priten të përfundojnë brenda vitit 2021 dhe që do shkurtojë distancën ndërmjet Vlorës dhe Sarandës me një orë.

Inxhinieri Klodian Goxharaj thotë se në total janë 12 kantiere ku po punohet.

“Aktualisht jemi tek kilometri 13.6. Këtu është pozicionuar sipas projektit 1 urë, e cila është një urë lidhëse e dy krahëve për faktin e natyrës së thyer të terrenit. Kjo është vetëm një prej fronteve që ne po punojmë, 11 frontet e tjera të gërmimit janë të shpërndara në të gjithë gjatësinë e kantierit dhe shumë pak gërmim kemi dhe arrijmë e realizojmë. Kemi arritur të krijojmë kontakte me pjesën tjetër të kantierit“, thotë drejtori i kantierit, Klodian Goxharaj.

Në rrugën që  kalon mbi Kaninë, është vendosur edhe për ndërtimin e dy belvedereve.

“Kemi patur problematikë vetëm tek kilometri 3-4 , varrezat e Babicës dhe një digë, dhe aty kërkohet një zgjidhje inxhinierike. Dhe në Kanine tek kilometri 10-12, po punojmë me studimin arkeologjik, po presim studimet arkeologjike. Në bashkëpunim me ARRSH dhe pushtetin lokal, është vendosur për ndërtimin e dy shesheve belvedere të ngjashme me atë të Llogarasë”.

Pjesa që lidh Kaninën me anën tjetër të rrugës në afërsi të Orikumit, firma po punon për mbushjen e gjurmës së rrugës, për të vijuar më pas me asfaltimin e saj.

“Ne aktualisht kemi vendosur zhvendosur mbi 200 mijë m/kub inerte, këtu në total janë 1 milionë e 400 mijë m/kub gërmime. Qëlllimi është që kjo vepër arti duhet të përfundojë 1 orë e më parë dhe minimalja ne duhet të mbarojmë 6 muaj para afatit”.

Sipas kontratës së nënshkruar, firma kontraktuese duhet t’i përfundojë punimet në Shkurt të vitit 2021. Vepra infrastrukturore parashikon edhe ndërtimin e 5 urave.

Ky investim i rëndësishëm për Vlorën dhe gjithë jugun e vendit, i cili pritet të shmangë trafikun në qytetin bregdetar, realizohet me fondet e BE-së, rreth 35 milionë Euro.

Kompania e parë e punimeve, “Serenisima”, tashmë e larguar nga Shqipëria, i ndërpreu punimet që duhet të përfundonin në vitin 2017 për shkak të problematikave të krijuara. Por pas dy vitesh ndërprerje, firma aktuale që po kryhen punimet ka marrë përsipër të zgjidhë edhe problematikat e trashëguara ambientale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat