Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë

Vlora

Manastirliu inspekton spitalin e Vlorës: Fuqizojmë terapinë intensive, përgatitemi për çdo situatë

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 19:26
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar spitalin rajonal të Vlorës.

“Në fokus të punës tonë është fuqizimi i shërbimeve në spitalet rajonale, me synimin për të ofruar shërbime cilësore afër vendbanimit, por veçanërisht në këtë situatë të epidemisë COVID-19 jemi duke forcuar kapacitetet në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale, sa i përket rrjetit të terapisë intensive”, tha Manastirliu.

Pas spitaleve rajonale në Durrës, Elbasan, Shkodër, edhe në Vlorë janë instaluar pajisjet moderne të reanimacionit, duke filluar nga shtretërit, respiratorët, aspiratorë, shiringa elektrike, pompat e infuzionit dhe një set i plotë i pajisjeve të nevojshme jetëshpëtuese. Përveç fuqizimit me aparatura, spitali rajonal i Vlorës do të ketë këtë vit një investim tërësor për reanimacionin.

“Spitali Rajonal i Vlorës do të jetë një ndër spitalet që do të mbështetet nga qeveria shqiptare nëpërmjet fondeve të alokuara në kuadër të luftës kundër COVID-19 për fuqizimin e terapisë intensive. Brenda vitit do të kemi një reanimacion të ri sipas standardeve bashkëkohore, për të ofruar shërbime më cilësore dhe me dyfishin e kapaciteteve, që do të mbulojnë zonën e jugut, që i shërben gjithashtu edhe turistëve e pushuesve gjatë sezonit turistik” tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh nga spitali i Vlorës se po merren masat për t’u përgatitur për çdo situatë.

“Kemi rritur kapacitetet në rast të shtimit të rasteve me COVID19, por duhet të përgatisim spitalet rajonale për çdo situatë, pasi, ndërsa trajtimi i pacientëve me COVID është përqëndruar në Tiranë, spitalet rajonale duhet t’ju përgjigjen edhe patologjive të tjera”, tha Manastirliu.

Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë po investon në rritjen e kapaciteteve në terapitë intensive për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, duke fuqizuar spitalet rajonale dhe universitare me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat