Vlora në studimet e katër autorëve të huaj: Një vështrim i shkurtër

Vlora

Vlora në studimet e katër autorëve të huaj: Një vështrim i shkurtër

Nga: Albert HABAZAJ Më: 14 prill 2021 Në ora: 09:20
Shtëpia e Flamurit, Vlorë

Shkurtore. Natyra ia ka falur me bujari Vlorën Shqipërisë, në pjesën JP të vendit, si një kartolinë Mesdheu, një perlë mesdhetare, sikur ta kishte qëndisur vetë Zoti me dorë të artë! Vërtet është e bukur si nuse bregdeti, por kaq nuk mjafton për interesat që ka paraqitur tek të tjerët në rrjedhat e kohës. Për kontributin e dhënë në luftërat për liri dhe pavarësi Vlorës i është dhënë titulli “Qytet Hero” (1962). Vlora shtrihet në një hapësirë në l.m.d 6 m, që përbën një pozicion gjeostrategjik të favorshëm dhe automatikisht të lakmueshëm prej fqinjve, pushtuesve apo të mëdhenjve. E banuar qysh në shek. VII p.e.r., ajo që në lashtësi ishte një qytet skelë dhe nyjë e rëndësishme e rrugëve detare dhe tokësore. Përmendet me emrin Aulona nga autorët antikë Lukiani dhe Plotemeu (shek. II të e.r.). Është emër tipi ilir dhe, sipas akad. Shaban Demiraj, emri i Vlorës është ndër të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe Jonit, që i kanë qëndruar kohës qysh nga periudhat e lashta”[1]. Rilindasi Sami Frashëri shkruan: “Frengjisht e greqisht quhet Avlona, italisht Valona, por emri origjinal në shqip është Vlora”[2]. Kemi vërejtur që në rrjedhat e kohës gjer më sot, Vlorën e kanë dashur dhe e duan shumë, e kanë lakmuar dhe e lakmojnë shumë, e kanë urryer dhe e urrejnë jo pak... Pse? Kushdo nga ne, natyrshëm kërkon të gjurmojë në kujtesën e shkruar apo gojore, në shkrimet e historianëve, dëshmitarëve, udhëpërshkruesve, antropologëve apo studiuesve të tjerë, vendas a të huaj. Po ndalojmë telegrafisht tek përshkrimet që i bëjnë Vlorës sonë katër autorë të huaj:

Johannes Georg von Hahn, (1811-1869), albanolog gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë, i cili, qysh në vitin 1834, kur ra në kontakt me shqiptarët dhe filloi të mësonte shqip e deri sa mbylli sytë iu përkushtua fuqishëm Çështjes Shqiptare me histori, etnografi, gjuhësi folkor, statistikë etj,, aqsa mendimi i tij u shërbeu përfaqësueseve të Rilindejs Shqiptare për kërkesat e tyre: të njiheshin shqiptarët si një popull më vete, me të drejtat e tyre dhe me rrugë historike të veçantë. Ai njihet si dijetari më i shumanshëm e më i thelluar i kohës së vet në fushën e studimeve shqiptare, konsiderohet si dekan i studimeve shqiptare të shek. XIX dhe babai i albanologjisë në kuptimin shkencor të fjalës. Në vëllimin e parë të veprës madhore “Studime shqiptare”, botuar në Jenë, në vitin 1854, ai i kushton Vlorës mbi 20 faqe shqyrtime, që përfshijnë imtësira deri edhe eksportin e vajit, leshit, lëkurëve të qengjit, misrit, valanidhit, kripës, serës, gurëve të strrallit, breshkave, shpendëve, deshëve, peshqëve të kripur, hajvarit dhe gjalpit. Ai shikon te Vlora më shumë pamjen e përparimit, sesa të amullisë, ndërkohë shkruan: “E ashtuquajtuna Arbëni, malsia midis lumit të Gjinokastrës dhe të detit, në veri e kufizueme prej Vjosës, përfaqëson vendbanimin kryesor jugor të kastës luftarake turko-shqipare dhe Vlona mund të quhet si kryeqendra e saj. Këtu ka qenë vatra e mirëfilltë e kryengritjeve të ndryshme të drejtuara kundër risive.[3]. Si të ishte një gjeograf dhe meteorolog i devotshëm, Hahn u bën edhe një shërbim të vyer njerëzve të detit, dashamirësve, turistëve, lundërtarëve, tregtarëve dhe detarëve të rinj apo të panjohur me këto vise “Asnjë pikë në të gjithë bregun shqiptar nuk asht i pershtatshëm për nji vendqendrim flote si gjini i Vlonës, sepse ka nji pozitë gjeografike të mirë, asht i sigurtë, i gjanë dhe mund të furnizohet lehtë me ushqime... Gjini i Vlonës u shërben si strehë të gjitha anijeve, të cilat i zen furtuna në kanalin e Otrantos ose luftojnë me erna të kundërta...Kur fryn nji shirok i fortë, skela e Vlonës, që gjindet kundrejt kepit të Karaburunit, asht e rrezikshme për anijet e vogla. Këtyne u duhet me u tërhekë në brendësinë e gjinit, në Pasha Liman, të cilët italianët e quajnë Gjini i Raguzës; ky gjindet 10 mila në jug-perëndim të Vlonës. Atje ka qenë dikur qyteti i vjetër Orikum, megjithëqë sot s’ka ma gjurma. Si duket, muret e vjetra janë mbulue me baltë dhe vendasit thonë se kur deti asht i qetë, shifen në ujë teprica muresh[4]. Ai e quan skelë kryesore të rajonit dhe më tej shkruan ... “i gjithë eksporti i Vlonës, që asht dy herë ma i madh se importi, shkon në Trieshe me vaporë austriakë dhe të huaj”[5]. Hahn shkruan edhe për Kaninën që del në Mesjetë në vendin e qytetetve të vjetër të Bylisit, Aulonës dhe Orikumit dhe tregon interes për fortesën e Kaninës, e cila sipas tij, qe ndërtuar mbi rrënoja ndërtimesh helene, ku gjatë hulumtimeve janë gjendur vërte blloqe katërkëndëshe guri të Antikitetit. “Nga kodra e kështjellës hapet nji pamje e gjanë përmbi tokë dhe det; nga ana e detit prej aty duket krejt gjini, gjuhza e tokës, ishulli i Sazanit dhe pjesërisht edhe përvijimet e bregdetit ët rrafshët deri në Durrës, nga ana e tokës duket fusha e Myzeqesë, e rrethuem nga unaza madhështore e maleve, ku spikasin sidomos, për bukurinë e tyne, maja e Tomorit dhe e Kudhësit”[6]. Në pjesën historike, ku trajton edhe luftrat e Skënderbeut dhe fatin e shqiptarëve pas vdekjes së tij, autori shkruan: “Turqit në fillim pushtuen vetëm fushat dhe vendet ku kishte rrugë, bile disa krahina malore mbetën krejt të lira dhe vetëm kur u kthyen në fenë muhamedane u banë të turqve. Madje, disa krahina të krishtena malore janë sot më vete. Njana prej tyne asht Himara, e cila përfshin pjesën ma të madhe të Akrokeraunies. Himariotët e mbrojtën lirinë e tyne me gjak dhe përballuen sulmet e Bajazidit II më 1492 dhe Sulejmanit më 1537 dhe fituen fermane nga sulltanët, në bazë të të cilave rronin të lirë dhe pa dhanë taksa nëpër malet e tyne, vetëm se ishin të detyrue me shkue në luftë kur i kërkonte Sulltani. Këto privilegje i hoqi Ali Pasha, i cili Himarën e shtiu në dorë ma shumë me dredhi sesa me trimëni”[7]

Një ndër historianët dhe specialistët më të mirë të Mesjetës Evropiane, Jacques Le Goff (1924 -2014) shkruan: “Gjeografia nuk ekziston pa historinë, por edhe historia nuk shpjegohet pa gjeografinë. Historia e Adriatikut fillon në lashtësinë e hershme me origjinalitetin e saj detar, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia dhe nga jashtë. Historia e tij është histori e një deti, e brigjeve, qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë, peizazhesh që shkojnë nga Alpet deri në zemër të Mesdheut”[8]. Këtë thënie po e përshtas për Vlorën: Historia e Vlorës fillon në lashtësinë e hershme me trinitetin e saj origjinal: detar, fushor dhe malor, sipas ritmit të popullsive që vijnë nga brendësia (krahinat e Vlorës) dhe nga jashtë (krahinat e tjera të vendit, pse jo dhe nga jashtë Shqipërie. Historia e saj është histori e dy deteve dhe lumenjve, e ishullit dhe gadishullit, e brigjeve dhe qyteteve bregdetare, anijeve të tregtisë dhe peizazheve që shkojnë nga këmbët e zvërnecit deri në vargmalet Akrokeraune me kryemajë malin e Çikës e përkarshi Këndrevicën. Ta ngushtojmë në lokalitet vështrimin e autorëve të huaj për Vlorën:

Adriatiku përbën një gji të pellgut mesdhetar, që në pikën më të ngushtë ka kanalin e Otrantos 72 km/ 49 milje i gjerë (distanca nga porti i Vlorës në Otranto), që është një grykëderdhje shtratgjerë. Fati i detit Jon është i lidhur me atë të Adriatikut. Kanali i Otrantos paraqet interes strategjik: fuqitë kryesore bregdetare janë përpjekur sa e sa herë që t’i mbajnë nën sundim të dyja brigjet e e tij. Këtej vjen dhe vlera e ishujve që qëndrojnë si roje në dalje të kanalit. Pierre Canabes shkruan: “I ndoshur pranë brigjeve shqiptare, ku [Kanali i Otrantos, shën. im-A.H] e kyç Gjirin Vlorës, ishulli i Sazanit, një shkrep i ngushtë pa ndonjë liman për të qenë, mori rëndësi vetëm në shekullin XX, kur pas vitit 1920, Italia e ktheu në vegël të synimeve të saj ballkanike, si dhe më vonë, nga viti 1945 deri më 1960, kur marina ruse dislokoi atje disa nëndetëse”[9]

Peter Bartl, (Cottbus, Gjermani, 1938 -) është studiues dhe historian gjerman, specialist i historisë shqiptare, njihet si një ndër studiuesit më seriozë e më të rëndësishëm të albanologjisë. Pas studimit të historisë së Europës Lindore, sllavistikës dhe turkologjisë, ka botuar një sërë studimesh historike rreth Europës Juglindore e më ngushtë Shqipërisë. Në vitet 1980-2004, ishte profesor për historinë e Europës Juglindore e Lindore në Universitetin e Munihut. Këtu drejtoi edhe Institutin e Shqipërisë, qendër studimore me bibliotekë të pasur që i kushtohej tërësisht vendit tonë. Vepra e tij e fundit është vepra madhore me disa vëllime “Albania sacra: Relacione të vizitave baritore prej Shqipërisë”. Vepra parashikohet të përshfijë pesë vëllime dhe paraqesin mundin e punës sëë tij shumëvjeçare në hulumtimin e përgatitjen e një serie të gjatë dokumentesh që hedhin dritë mbi periudha dhe problemem të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ndër të tjera, në monografinë “Shqiptarët: nga Mesjeta deri në ditët tona” historiani gjerman shkruan: “Vlora (Valona). Paraardhëse e qytetit-port të sotëm ka qenë Aulona, e vendosur pak më në veriperëndim të Vlorës (vendbanimi dëshmohet të paktën që nga shekulli i 4-t p.e.s). emir Vlorë, si edhe italisht Valona dhe turqisht Avlonya, kanë rrjedhur nga Aulon. Duke i mbetur Bizantit gjatë ndarjes së perandorisë […], Vlora përmendet si seli peshkopale që në shekullin e 5-të. E pushtuar nga normanët në vitin 1081 dhe 1107, pas vitit 1204 Vlora përfshihet në despotatin e Epirit; në 1272 në Mbretërinë Anzhu të Shqipërisë; në 1343 i takon serbëve dhe në 1378 është në zotërim të Balshës. Në 1417 qyteti pushtohet nga turqit. Vlora u bë skela kryesore e Shqipërisë turke dhe pikënisje edhe e ekspeditës turke drejt Italisë në 1480. Reth viti 1537 turqit ndërtuan një kështjellë për sigurimin e qytetit, mbeturinat e së cilës u rrafshuan në 1906. Në 28.11.1912 në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë dhe u krijua një qeveri e përkohshme; për këtë arsye Vlora mund të quhet kryeqyteti i parë i Shqipërisë. Nga dhjetori i vitit 1914 e deri në gusht 1920 Vlora qe e pushtuar nga italianët. Ndër përmendoret janë ruajtur xhamia e Muradijes, [në Vlorë i thonë Xhamia e Plumbit (kryesorja tek stacioni autobuzit, Shkolla nr.1. Shën im. A.H] (mesi i shekullit të 16-të), shtëpia ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, [Sarajet e Vlorajve apo e Xhemil Beut. Shën im. A.H] si dhe një teqe bektashinjsh në kodrën Kusbaba (sot restorant)”[10]. Po ashtu objekt kulti ka qenë Xhamia e Tabakëve (tek sheshi përballë Bashkisë, para ish - hotelit të Kinezëve), po ashtu sot është është Xhamia e Neshat Pashait, ose Xhamia e Kuqe (ku ka qenë konsullata italiane).

Duke shfletuar monografinë “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”, një antologji voluminoze me 764 faqe, që ka një shtrirje të gjerë kohore prej gati shtatë shekujsh, ku 120 autorëv francezë, ndër penat më të ndritura të letrave të Francës, dëshmojnë për virtytin, dinjitetin, krenarinë dhe fisnikërinë shqiptare ndër kohëra, krahas dhembjes, mjerimit dhe tragjikes që i ka shoqëruar, vështrimi u përqëndrua tek shkrimi i dijetarit Jean Claude Faveyrial [Zhan Klod Favejrial (1817-1893)]. Favejrial është i pari dijetar që ka shkruar historinë e Shqipërisë në shek. XIX ka qenë prift në Kongregacionin e Misionit Lazarist, u dërgua si misionar në Ballkanin e Jugut, ku kaloi një gjysmë shekull të jetës së tij. Studioi në thellësi historinë e etnive të ndryshme evropiane dhe u bë mik i madh i vllehëve dhe shqiptarëve. Çeli shkolla në Berat, Korçë e Prizren. Dha mësim për gjuhën frënge e filozofinë. Vepra e tij “Historia e Shqipërisë” është zbukuar nga studiuesi i mirënjohur albanologu Robert Elsie. Shkrimi në fjalë i Zh. K. Favejrial titullohet “Grurë nga Vlora për popullin e varfër të Parisit”[11]. Po sjellim për të interesuarit, dashamirësit dhe ndjekësit tanë disa fragmente: “Në vitet 1730-1740, sikurse dhe në epoka të tjera, pati në Shqipërinë Jugore, e veçanërisht në Thesproti, rrëmuja të mëdha dhe një anarki të pafund. Dhe kjo për dy arsye kryesore: politika venedikase dhe patriotizmi. Për të mbrojtur sa më mirë zotërimet e veta ishullore dhe kontinentale, Korfuzin, Pargën, Buthrinton e Prevezën, Venediku jo vetëm nxiste kundërshtimin ndaj qeverisë turke, por furnizonte edhe armë, barut e municione të tjera të dollojshme për rebelët... Pukëvili na mëson se megjithë ndalimet e Portës, eksportoheshin nga Durazzo e Avlona me grurë, thekër, tërshërë e mil gjashtëdhjetë deri në njëqind anije tregtare, anije të destinuara një pjesë për Francën, të tjerat për Spanjën... Në vitin 1741, Z. Boulle, konsull i Francës në Avlonë, nisi nga ky port një sasi të madhe gruri që ndihmoi lehtësimin e urisë në Parisin e mbërthyer nga skamja. Por më pas, ai ra viktimë e dështimeve dhe falimentimeve. Duke mos mundur të shlyejë borxhet, atij iu desh të bëhej turk. Por me letrat që dërgonte nga Tenedo më 1762, shohim se ai është penduar. Si mbërriti në Kostandionopojë, shleu me gjakun etij atë skandal fatkeq që kish shkaktuar. Më 1754, Mustafa Pasha hakmerret ndaj të krishterëve të Janinës për humbjet që i kishin shkaktuar suljotët”[12]. Këto shënime të autorëve të huaj, personalitete të kohës që kanë jetuar dhe më vijimësi na njohin me këndvështrimin e tyre real për Vlorën tonë, si pjesë e së tërës Shqipëri. Ato s’kanë nevojë për komente, veç duhen mirëlexuar, sepse mesazhet që duhet të marrim ne janë të fuqishme, frymëzimtare e besimmbushur në asetet vlonjate e shqiptare (jo vetëm natyrore, tokësore e nëntokësore, por edhe burimet e pasura njerëzore në të gjitha fushat e jetesës sonë sotmërisht dhe për nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat