Këshilli Bashkiak Vlorë anuloi mbledhjen e planifikuar për sot/ Pas reagimit të Lelit, vjen njoftimi për mbledhjen e radhës

Vlora

Këshilli Bashkiak Vlorë anuloi mbledhjen e planifikuar për sot/ Pas reagimit të Lelit, vjen njoftimi për mbledhjen e radhës

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 13:33
Dritan Leli

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli ka reaguar për anulimin e mbledhjes online pas njoftimit të Këshillit Bashkiak. Me anë të një postimi në rrjete sociale, Leli thotë se është anuluar mbledhja e cdo muaji ku flitet për interesat e qytetit.

 “Më vjen keq që me këngën e kusureve të mia, Këshilli Bashkiak nuk po i përkrah sot fëmijët me probleme sociale të qytetit, që me miratimin e vendimit do të frekuentonin kopshtet dhe çerdhet me të ardhurat e bashkisë, nuk po miraton as ndihmën ekonomike, as listën e familjeve apo individëve që përfitojnë kredi nga të ardhurat e bashkisë dhe as po mbështet projektin e qeverisë shqiptare për rimëkëmbjen e zonës përreth sahatit, që ka nevojë për angazhimin e të gjithëve, prandaj edhe do të përfshihej sot me urgjencë, për të mos ecur me ritmin e mbajtjes së radhëve!”, shkruan Leli.

Kërkesat e vazhdueshme të Këshillit Bashkiak të Vlorës për mbledhje jashtë radhe kanë qenë për ti kërkuar llogari kryebashkiakut Dritan Leli për punët e qytetit. Por Leli insistonte që të zhvillohej online për shkak të rregullave anti covid.

Ndër të tjera, Leli vijon postimin duke thënë se Vlora ka nisur sezonin turistik dhe duhet të punojnë në mënyrë që turistët të gëzojnë lirinë dhe bukurinë e qytetit. Me tone ironie, thotë se “nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale.”

Më pas kërkoi ndjesë ndaj të gjithë qytetarëve të Vlorës duke thënë se e merr ai barrën e ndjesës ndaj atyre që mund të bezdisen nga këto cështje.

“Të nderuar këshilltar, e pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar! Të gjithë mund të bëjmë më shumë, mund të bëjmë më mirë, pa shterpëzuar një energji të tërë që mund ta shfrytëzonim në dobi të Vlorës! Po e marrë unë barrën e ndjesës, ndaj të gjithë banorëve të Vlorës që po penalizohen a qoftë edhe vetëm bezdisen, nga radhët tona të ngatërruara që po iu rëndojnë, por e di që deti dhe dielli i Vlorës do ta bëjnë këtë verë të ndritshme, siç kaq gjatë e dëshiruam”, përfundon Leli.

Pas këtij reagimi të Lelit, Këshilli i Bashkisë së Vlorës ka njoftuar se mbledhja e radhës do të zhvillohet me datë 30 qershor në orën 10:00 në ambientet e teatrit “Petro Marko”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat