Zhdukjet e rrëmbimet në Vlorë, policia: Janë 23, jo 80

Vlora

Zhdukjet e rrëmbimet në Vlorë, policia: Janë 23, jo 80

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 10:40
Vlorë

Rrëmbimet në qendrën e qytetit të Vlorës, piratët në mes të detit, si dhe vrasjet e tmerrshme ishin në fokusin e emisionit “Top Story” të mërkurën në mbrëmje. Përmes dëshmive ekskluzive dhe dokumenteve të Prokurorisë, “Top Story” zbërtheu një seri rrëmbimesh, të kryera për shkak të përplasjeve në trafikun e drogës.

Ndonëse prokurorja Flora Çela deklaroi se ka pasur një numër prej rreth 80 referimesh për persona të zhdukur apo të humbur nga familjarët, prej vitit 2015 e deri më sot, nëpërmjet një deklarate të përbashkët për mediet, Prokuroria dhe Policia e Vlorës e kanë ulur në 23 numrin e personave të larguar nga banesat në 3 vitet e fundit.

“Rezulton se numri i personave të raportuar, të zhdukur, të humbur, nga familjarët… nga viti 2015 deri tani ka pasur një numër rreth 80 referimesh”, tha prokurorja Flora Çela. Një shifër që më pas u shfrytëzua edhe nga Partia Demokratike, që përmes deputetit Salianji i bëri jehonë emisionit “Top Story” nga foltorja e selisë blu.

“E vërteta nuk mund të mbulohet më! Emisioni ‘Top Story’ zbuloi shifrat dhe dëshmitë tronditëse për të zhdukurit e trafikut të drogës në Vlorë. Prokuroria pohoi zyrtarisht numrin 80 të të zhdukurve në 3 vite. 80 të zhdukur është vetëm numri i denoncimeve që familjarët kanë bërë në polici për të afërmit e tyre”, do të shprehej një ditë më parë Ervin Salianji.

“Në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Konkretisht, 4 shtetas të larguar në 2016-n, 6 shtetas të larguar në 2017-n dhe 13 shtetas të larguar në vitin 2018. Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por edhe janë rikthyer. Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre”, thuhet në reagimin e sotëm të Prokurorisë e Policisë së Vlorës.

Më tej deklarata vijon me përmendjen e disa shifrave statistikore që tregojnë se ka një ulje të ndjeshme të veprave penale kundër personit, krahasuar me një vit më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat