Rruga e Lumit të Vlorës, impakt në turizëm e bujqësi

Vlora

Rruga e Lumit të Vlorës, impakt në turizëm e bujqësi

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 08:47
Rruga e Lumit të Vlorës

Puna për projektin e rrugës së Lumit të Vlorës, një segment jetik për gjithë qarkun, po ecën me ritme të shpejta.

Rikonstruksioni i kësaj rruge, cili përfshin edhe rindërtimin nga e para të shumë pjesëve të një segmenti që më shumë se rrugë ka qenë gjurmë e vjetër e asaj që ka ekzistuar dikur, parashikohet të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë qarkun e Vlorës, për banorët, por edhe për zhvillimin e turizmit.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, bën të ditur se “po vazhdojnë punimet në LOT-in II, për të rinisur me po të njëjtin intensitet edhe në LOT-in III dhe IV, të dy së bashku këto për t’u përfunduar në kohë rekord pas çeljes së fondit të financimit nga donatorët ndërkombëtarë”.

Qëllimi i këtij investimi madhor (i financuar nga Fondi Kuvajtian, Fondi Saudit për Zhvillim dhe Qeveria Shqiptare) është realizimi i një lidhjeje përfundimtare dhe jo thjesht mes fshatrave të Vlorës, por edhe mes Vlorës dhe Himarës duke i krijuar mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo edhe turistëve që vijnë nga ana tjetër e Shqipërisë, nga Gjirokastra dhe Tepelena për të pasur akses më të shpejtë në bregdet.

Bëhet fjalë për më shumë se 90 km rrugë, një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë, krejtësisht e re që do t’i japë Vlorës një hapësirë të re në funksion të turizmit e gjithashtu edhe një impakt të qëndrueshëm e jetëgjatë në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë duke mundësuar dalje direkte dhe të shpejtë të produkteve në tregun vendas, por edhe atë të huaj për eksport.

Segmenti i dytë është 27,1 km dhe shtrihet nga Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos, ndërsa segmenti i tretë prej 23,7 km vazhdon nga Ura e Laskos-Qeparo & Ura e Laskos-Kuç.

Këto dy segmente janë aktualisht në procedurat e tenderimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe parashikohet që kontratat punimeve të lidhen në muajin dhjetor 2018.

Segmenti i fundit i rrugës është ai Peshkëpi-Selenicë-Kryq. Levan-Tepelenë me gjatësi 16,4 km për të cilin Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në fazën e tenderimit të supervizionit.

Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhje të re me bregdetin e Jonit dhe hap perspektiva të reja zhvillimi për fshatrat e kësaj zone dhe banorët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat