Ajeti: Do të jap gjithçka për të parë Lubotenin kampion

Volejboll

Ajeti: Do të jap gjithçka për të parë Lubotenin kampion

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 19:29
Ajeti: Do të jap gjithçka për të parë Lubotenin kampion

Në Superligën e Kosovës në volejboll, në konkurrencën e meshkujve, po zhvillohet një rivalitet i madh mes skuadrave në luftë për pozitën e parë. Prishtina Volley është lider me 31 pikë, ka 4 më shumë se Luboteni nga Ferizaj dhe gjashtë se Theranda e cila renditet në pozitën e tretë në klasifikim! 

Volejbollisti më i mirë në vendin tonë, Habil Ajeti, i cili është alfa dhe omega në radhët e Lubotenit, mendon se kanë një ekip shumë të fortë dhe që mëtojnë të gjitha trofetë. Ajeti që luan në pozitën e korrektorit, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot”, se humbja nga Prishtina Volley më shumë ka qenë si rrjedhojë që nuk e kishin ditën e tyre por edhe kishin disa mungesa të rëndësishme. Si e sheh pjesën e dytë të kampionatit, a do të jetë më cilësor se vjeshta?

“Nuk mendoj se do të jetë si viti i kaluar për arsye se ekipet nuk kanë marrë përforcime përveç KV Lubotenit, ekipet tjera do të mundohen me lojtarë vendorë të garojnë”, tha Ajeti. Volejbollisti ka një mendim interesant sa i përket asaj se a do të janë apo jo në garë të fortë në luftë për titullin e kampionit: “Nuk besoj se është në garë të fortë, por përparësitë tona janë se ne kemi lojtar me cilësor. Por në sport nuk i dihet, se si KV Luboteni si ekipet tjera do të luftojnë për titullin kampion edhe Kupën e Kosovës”. 

Image

Ai e uron Prishtinën për fitoren, duke thënë: “Pikësëpari Prishtinës ia uroj fitoren, është thjesht një ndeshje e humbur, kështu që neve na mbetet të punojmë më shumë”. Për herë të parë në sportin skofiar përdoret një sistem i ri i garave, ku nga dhjetë skuadrat sa ishin në vjeshtë, tani 6 janë në Superligën A dhe sipas kësaj, pothuajse secila sfidë do të jetë edhe si derbi, për faktin se takohen secili me secilën dhe zhvillohen dhjetë ndeshje deri në garat e play-off-it. “Normal se ky sistem është shumë i mirë, ka më shumë derbi, ndeshje më cilësore, garojnë 6 ekipet më të mira”, tha Ajeti.

Prishtina katër pikë ka më shumë se Luboteni, a iu frikëson kjo epërsi? “Prishtina fitoi edhe në kampionatin vjeshtor por ne e treguam se kush jemi në finalen e Kupës së Federatës, kështu që mbetet të shihet në fund”, tha ai.  Volejbollisti është i kënaqur me kushtet dhe zotohet se do të jap maksimumin deri në fund për realizimin e qëllimeve që kanë. “Pikësëpari e përshëndes kryesinë e KV Lubotenit për respektin dhe besimin që kanë ndaj meje. Kushtet janë shumë të mira, e mira kthehet më të mirë dhe do të jap gjithçka nga vetja për të parë KV Lubotenin kampion dhe fitues të Kupës”, ka thënë Ajeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat