Ibrahimi: Veçoria qëndron te uniteti dhe dëshira për fitore

Volejboll

Ibrahimi: Veçoria qëndron te uniteti dhe dëshira për fitore

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 15:41
Ilustrim

Ka kohë që nuk ka qenë një rivalitet aq i madh për titullin e kampionit në elitën e volejbollit të Kosovës (femrat). Kastrioti, Drita, Skenderaj e M-Technologie, luftojnë për titull, kurse Prishtina F ka ngec në këtë drejtim ani se nuk i dihet asgjë deri në përfundim të garave të rregullta. Kastrioti i Ferizajt është lideri me 31 pikë në Superligën A, ka një pikë më shumë se kampionia në fuqi Drita. Kryetrajneri i Kastriotit, Edon Ibrahimi, tha se kanë një ekip të mirë me lojtare të reja dhe që pretendon trofe. Ai me ekipin e tij krahas që luftojnë për titull, synojnë ta mbrojnë edhe Kupën e Kosovës. Atmosfera është shumë e mirë brenda kolektivit ferizajas dhe përgatiten për derbin e radhës përkatësisht M-Technologie.     

“Bota sot”: Kastrioti prinë në renditje me 31 pikë, ka një pikë më shumë se kampioni në fuqi Drita, a jeni në presion të rivales?

Edon Ibrahimi: Të them të drejtën, nuk ka kurrfarë presioni, pasi ndryshimet që klubet e Superligës i kanë bë duke u përforcuar me lojtare nga jashtë, them se presioni do të jetë mbi ekipet e tjera, pasi edhe pse ne nuk kemi pas mjete për përforcime, kështu që ne kemi bërë një ripërtërirje të ekipit. Dy lojtare të formacionit bazë janë larguar dhe tash në formacion kemi lojtare me moshë shumë të re, të cilat për herë të parë janë pjesë e ekipit të parë.

Image

“Bota sot”: Çfarë e veçon Kastriotin nga rivalet tjera, ku janë përparësitë?

Edon Ibrahimi: Përparësi nuk mund të them, pasi e ceka edhe më lart, se ekipi ka një përbërje krejtësisht të re, por veçoria qëndron te uniteti, atmosfera, dëshira për fitore. Si ekip po mundohemi të bëjmë një kombinim të lojtareve me përvojë dhe talenteve, ku besoj se suksesi nuk do të mungoj.

“Bota sot”: Kastrioti ka një ekip me lojtare të reja, sa jeni të kënaqur me këtë fond apo në cilat reparte keni nevojë për përforcime?

Image

Edon Ibrahimi: Të them të drejtën, në fillim kam qenë pak i pasigurt, sidomos me organizatoren e ekipit që është Aneta Beqiri dhe korrektoren Melirona Avdullahu, pasi nuk kanë përvojën e duhur por me 3 ndeshjet e zhvilluara mund të them se jam shumë i kënaqur, pasi jemi në objektiva. Të vazhdohet me lojtare të reja ishte një vendim i qëlluar, sidomos për të ardhmen e klubit.

“Bota sot”: A mendoni se ardhja e lojtareve të huaja ka rritur cilësinë apo ka ndikuar negativisht?

Edon Ibrahimi: Personalisht mendoj se cilësia është ngritur. Nuk besoj se është në të mirë të volejbollit të Kosovës, pasi çdo ekip që merr lojtare nga jashtë përveç shpenzimeve duhet llogaritur që dy lojtare vendore duhet të qëndrojnë në bankë, e të qëndruarit në bankë nuk zhvillon lojtaret, gjithsesi mendimi im personal.

Image

KV Kastrioti

“Bota sot”: Në fundjavë derbi i radhës kundër M - Technologie Prishtina, një sfidë e vështirë, ku janë përparësitë?

Edon Ibrahimi: Do të jetë një ndeshje e barabartë, jemi duke u përgatitur në maksimum për këtë sfidë, po e përmendi përsëri edhe pse me përbërje të re Kastrioti do të vazhdoj të luftoj deri në fund për gjithçka. Presioni do të jetë mbi M-Technologie jo mbi ne.

“Bota sot”: Kohët e fundit nuk paraqitet Vildane Jashari, një lojtare me përvojë, cilat janë arsyet?

Edon Ibrahimi: Besoj se më mirë këtë përgjigje mund ta japë profesoresha, por njeherësh dua ta falënderoj për kontributin. Për mu ka qenë e papranueshme në fillim të nis një kampionat në kushte të tilla pa përforcime, pa numër të duhur të lojtareve por pas bisedave me kryesinë dhe stafin së bashku me trajnerin Arlind Ibrahimi, kemi pranuar këtë detyrë që besoj se do të ia dalim në fund.

“Bota sot”: Çfarë u premtoni tifozëve?

Edon Ibrahimi: Premtojmë angazhim maksimal dhe pse jo ndonjë trofe. Do të provojmë të gjitha mënyrat, besoj se mundi do të shpërblehet në fund, do të doja të falënderoja gjithashtu si tifozët po ashtu edhe lojtaret dhe mos ti mbes borxh trajnerit tjetër në klub Arlind Ibrahimit, i cili pa dyshim se po na ndihmon me përvojën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat