Mustafa: Kemi një përparësi të vogël ndaj Prishtina Volleyt

Volejboll

Mustafa: Kemi një përparësi të vogël ndaj Prishtina Volleyt

Nga: Kemajl Goca Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:36
“Mund të them se është një ndër kampionatet më të mira dhe me rivalitet, në të cilën tri ekipet (Theranda, Prishtina dhe Peja) kanë lojtar vendorë, ndërsa Luboteni brazilian dhe të Maqedonisë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Faton Mustafa, kapiten i KV Therandës.

Theranda ka bërë hapin e parë drejt finales së madhe me fitoren në kryeqytet me rezultat 3:0 (25:15, 30:28 dhe 25:16) kundër Prishtina Volley-t, në ndeshjen e parë të play-off-it në elitën e volejbollit të Kosovës (meshkujt). Djelmoshat therandas shfaqën lojë të shkëlqyeshme dhe si rrjedhojë e kësaj fituan bindshëm dhe tani me qetësi e presin sfidën e kthimit në palestrën “13 Qershori” në Therandë.

Image

KV Theranda

Prishtina Volley cilësohej si favorite e madhe, por nuk i shkoi në asnjë mënyrë me therandasit shumë të disponuar dhe pa dyshim ka qenë fitore senzacionale! Volejbollisti me përvojë Faton Mustafa shprehet se loja kolektive ka qenë edhe çelësi i triumfit, ku aktualisht udhëheqin në seri të fitoreve me 1:0. Kapiteni i ekipit tha se do të punojnë me një përkushtim që të përgatiten për takimin e radhës të gjysmëfinales ndaj prishtinasve.     
“Bota sot”: Theranda shkëlqeu në sfidën e parë të gjysmëfinales kundër Prishtina Volley-t, e cila hiqej si favorite e madhe, çka e veçojë ekipin tuaj?
Faton Mustafa:
Po, siç dihej Prishtina ishte favorite, te ekipi ynë erdhi në shprehje loja kolektive, ku të gjithë lojtarët e dhanë maksimumin dhe arritëm fitoren.
 

Image

Shkolla e volejbollit Theranda

“Bota sot”: Përveç setit të dytë që e fituat në tai-brek, të parin dhe të tretin bindshëm, a ka qenë loja më e mirë gjatë këtij edicioni?

Faton Mustafa: Ne gjatë tërë kampionatit kemi qenë solid, mirëpo seti i dytë ka qenë shumë i ngushtë, ku me përqendrim në momente te fundit ia arritëm ta fitojmë.
“Bota sot”: Në KV Theranda po bëhet punë e madhe edhe me gjeneratat e reja, por sa është e vështirë të punohet në këto kushte e rrethana?
Faton Mustafa:
Siç dihet jemi duke punuar me gjenerata te reja dhe po ashtu edhe me ekipin e vajzave, ku marrim pjesë në Ligën e Parë, po ashtu edhe në të gjitha kategoritë, mirëpo me mund të madh dhe me kushte jo të mira financiare.

Image

Pamje nga një ndeshje

“Bota sot”: A është Theranda në përparësi psikologjike, pasi që tani luan si vendas kundër Prishtina Volley-t?
Faton Mustafa:
Kemi një përparësi të vogël edhe pse Prishtina Volley është një ekip shumë i mirë, por ne do të mundohemi të tregojmë një lojë të mirë.
“Bota sot”: A mendoni se është prej kampionateve më të mira kur dihet edhe rivaliteti edhe afërsia me pikë mes katër skuadrave të para?
Faton Mustafa:
Pra, mund të them se është një ndër kampionatet më të mira dhe me rivalitet, në të cilën tri ekipet (Theranda, Prishtina dhe Peja) kanë lojtar vendorë, ndërsa Luboteni brazilian dhe të Maqedonisë.
“Bota sot”: Ju si kapiten sa jeni i kënaqur me fondin e lojtarëve dhe çka u premton tifozëve 'Xhebrailave'?
Faton Mustafa
: Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët e mi, ku të gjithë po luajnë për njëri-tjetrin dhe kërkoj nga “Xhebrailat” të vijnë të na përkrahin në këto ndeshje dhe që të shohin volejboll të bukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat