Arjola Prenga: Atmosfera ishte e paimagjinueshme në Gjilan! 

Volejboll

Arjola Prenga: Atmosfera ishte e paimagjinueshme në Gjilan! 

Nga: Kemajl Goca Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:55
Arjola feston me shoqe

Volejbollistja më e mirë shqiptare, Arjola Prenga, e pranon se tash e 19 vite nuk ka pa atmosferë me fantastike se në palestrën e sportit “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, në finalen e tretë të play-off-it të Superligës së Kosovës (femrat), mes Dritës nga Gjilani dhe M-Technologie nga Prishtina, ku triumfuan gjilanaset me rezultat 3:0 (3:0 në seri të fitoreve), duke u stolis me titullin e kampionit, i katërti rresht.

Arjola ishte shtyllë e ekipit të Dritës së bashku me motrën e saj Adelajda dhe me bashkëlojtare tjera, dhuruan spektakël të njëmendtë në Gjilan. “Intelektualët” me koreografi e brohoritje i dhanë zemër lojtareve të Dritës, ku ishin mbi 3 mijë shikues në palestër! Arjola flet se çfarë e shtyri të kthehet pas një kohe në Dritë dhe çfarë thotë për atmosferën e rrallë që përjetoi në Gjilan!  

“Bota sot”: Çfarë iu shtyri t'i bashkoheni sërish Dritës?
Arjola Prenga:
 Të jem e sinqertë, shtysa kryesore është motra ime si edhe Loriku (Ilazi). Megjithatë dikur kam qenë pjesë e këtij klubi fantastik dhe për ta pranuar si ofertë nuk më është dashur të mendohem shumë. Loriku ka krijuar një ekip model me vajza shumë punëtore dhe të disiplinuara, elemente shumë të rëndësishëm për ta bërë punën edhe më të lehtë.

Image

“Bota sot”: Atmosferë drithëruese, mbi 3000 shikues, a ishte një panoramë e mirë?
Arjola Prenga:
Atmosfera ishte e paimagjinueshme, personalisht në 19 vite karrierë mendoj se publiku i ndeshjes se pardjeshme ka qenë më fantastiku që kam luajtur ndonjëherë. Kam bërë ndeshje me publik të shumtë, sa ato që ishin parmbrëmë apo edhe më shumë, por ama atë çfarë kanë bërë pardje “Intelektualët” e Gilanit shumë pak sportiste kanë fatin ta përjetojnë. Dua të shfrytëzoj rastin me anë të kësaj interviste që t’i falënderoj nga zemra për atë atmosferë fantastike që krijuan që në minutat e para të nxemjes si edhe gjate gjithë lojës apo edhe në fund kur të gjithë së bashku festuam. Në ndeshjen e pardjeshme kam menduar me vete përse nuk u zhvillua loja me 10 sete, aq kënaqësi ishte për të luajtur në ato momente. Image

“Bota sot”: A ka ngritje të cilësisë së volejbollit në Kosovë?
Arjola Prenga:
 Me afrimin e sponsorëve nëpër klube është krijuar mundësia për të sjell lojtare të huaja në kampionat, gjë që dashje pa dashje sigurisht që e rrit nivelin sepse edhe vetë ekipet në Kosovë e kanë të domosdoshme të kenë në ekip lojtare me eksperiencë. Por patjetër që dua të theksoj që edhe vajzat e Kosovës i shikoj me të pjekura profesionalisht, dhe disa lojtare i kanë dhënë shumë bukuri kampionatit. 

“Bota sot”: Ku do të shkojë Arjola pas Dritës?
Arjola Prenga:
 Sezoni sapo u mbyll, kështu që momentalisht koha është vetëm për familjen, si dhe rikthimi në Norvegji. 

Image

“Bota sot”: A keni pritur rezistencë më të madhe nga M-Technologie, çfarë e veçojë ekipin e Dritës?
Arjola Prenga:
Ashtu siç e theksova edhe më sipër dallimi i Dritës është disiplina në fushë dhe forca për të mos u dorëzuar asnjëherë. Puna e palodhshme e Lorikut si gjate stërvitjes apo edhe orët e tëra për të studiuar ekipet kundërshtare janë një plus i madh. Ekipi i M-Technologie është ekip simpatik, me dy blerje nga Brazili që mendoj se dhanë maksimumin për të ndihmuar ekipin e tyre. Ne në çdo ndeshje jemi futur të fokusuara për të dhënë gjithsecila maksimumin, si dhe të zbatonim me përpikëri taktikën e trajnerit. 

“Bota sot”: A është e dashuruar familja Prenga në ekipin e Dritës?
Arjola Prenga:
 Hahahaha, kjo është shumë e vërtetë. Sepse për ne Drita është Lorik Ilazi, dhe Drita e Lorik Ilazit është Adelajda, motra jonë. Për ta kuptuar se sa natyrshëm të vjen dashuria për ekipin e Dritës duhet të bëhesh pjesë e saj. Drita është një familje e madhe, ju na shikoni ne që luajmë në fushë por ka shumë njerëz të tjerë jashtë që e mbështesin ekipin me zemër po ashtu edhe nga ana financiare. Janë shumë persona që bashkëpunojnë dhe ndihmojnë ekipin për të arritur këto rezultate, çunat e stafit, prindërit e lojtareve, si dhe patjetër presidenti i ekipit Jakup Shabani. Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë sezon të bukur dhe ju uroj të gjithëve sa më shumë suksese në të ardhmen. Familja Prenga të gjithë ju duan!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat