Kadriu: E kemi fituar të drejtën për Evropë, por tërhiqemi!

Volejboll

Kadriu: E kemi fituar të drejtën për Evropë, por tërhiqemi!

Nga: Kemajl Goca Më: 19 qershor 2019 Në ora: 16:58
Ylli Kadriu

Shumica e klubeve të volejbollit po hasin në vështirësi të mëdha dhe kjo po i dikton ato që mos të arrijnë në cakun që dëshirojnë! Fituesi i Kupës së Kosovës, KV Skenderaj (femrat), për shkak të kushteve financiare (pa dëshirën e tyre) nuk do të marrin pjesë në garat evropiane. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Ylli Kadriu, tha se është e dhimbshme që nuk marrin pjesë për shkak të kushteve. Skenderajt është prej klubeve më të organizuara dhe pa as një përforcim nga jashtë ia doli që të stoliset me trofeun e çmueshëm, Kupën e Kosovës.  

Image

Skenderaj

“Bota sot”: Skenderaj, fitues i Kupës së Kosovës, nuk do të merr pjesë në garat evropiane!
Ylli Kadriu:
Është e vërtetë që synimi ynë ka qenë që të fitojmë trofe për të arritur të kualifikohemi për garat Evropiane, ne si ekip dhe unë si trajner e kemi kryer detyrën tonë duke e fituar Kupën e Kosovës dhe të drejtën për gara evropiane, mirëpo, për të marrë pjesë në këto gara duhet që të kemi buxhet të mirë, sepse shpenzimet janë të larta. Pra ne nuk kemi gjet mbështetjen e duhur për të marrë pjesë në këto gara, por si klub jemi fokusuar që fondet që do të ishin shpenzuar në ato gara t’i ruajmë për garat vendore që ta mbajmë ekipin që kemi dhe të kemi mundësi edhe për ndonjë përforcim eventual.

“Bota sot”: A është një zhgënjim për gjithë kolektivin, pasi që shkaku i kushteve mos të merrni pjesë në garat evropiane?
Ylli Kadriu:
Të themi të drejtën është një zhgënjim dhe ndjenjë jo e mirë, sepse tërë vitin kemi punuar e sakrifikuar që t’i sjellim trofe qytetit tonë dhe në të njëjtën kohë ta përfaqësojmë shtetin tonë në këto gara, por ky është vendi ynë dhe këto janë mundësitë tona fatkeqësisht. Edhe pse kemi fituar të drejtën të luajmë në Evropë, duhet të tërhiqemi.

“Bota sot”: A është një brengë për Skenderajn se mund të has në telashe edhe në edicionin e ri, apo shpresoni se do të gjeni mbështetjen nga ndonjë donator apo vet komuna?
Ylli Kadriu:
Është pak herët të flasim për këtë gjë, sepse jemi në pushime dhe akoma s’kemi mundur të takohemi e të planifikojmë, mirëpo disa shenja janë që kësaj radhe do të konsolidohemi më mirë dhe do ta kemi vëmendjen më të madhe nga Komuna, po ashtu donatorët kanë shprehur gatishmëri të na përkrahin siç kanë bërë tash e sa vite, për të cilët jam shumë falënderues, ku falë ‘Grunorit’, Qendrës Tregtare ‘Arjeta’, tani edhe Kompanisë së madhe ‘Drena’, po ashtu ‘Classic Bar’ që e kemi si shtëpinë tonë, jemi ekip kompakte dhe shumë cilësore.  Por po e ceku përsëri se së shpejti do ta kemi një takim të përbashkët për të ardhur në një përfundim më të saktë se sa mund të shpenzojmë dhe si do të shkojnë gjërat në klub.

“Bota sot”: Ka kohë për afat kalimtar, por a do të ketë lëvizje, përforcime apo edhe ndonjë largim nga ekipi?
Ylli Kadriu:
Afati kalimtar për lojtaret vendore akoma nuk është hapur, ndërsa afat për lojtaret e huaja ka deri në vitin tjetër. Të jem i sinqertë, nuk jemi të interesuar për lojtare nga Kosova, sepse lojtaret më cilësore që janë në Kosovë i kemi në ekipin tonë, kështu që nuk na duhen lojtare tjera. Por gjithsesi do të shikojmë mundësinë për një përforcim nga jashtë, sepse siç dihet Zyla Kadriu do të shkoj të luaj dhe studioj në SHBA, që do të jetë mungesë e madhe për ne. Gjithashtu vajzat tona kanë marr shumë oferta nga ekipet tjera të Kosovës, ku të gjitha ofertat janë aspak profesionale sepse asnjë nga ata të cilët kanë bërë oferta nuk kanë biseduar me drejtuesit e klubit, por kanë gjet forma aspak transparente duke i thirrur direkt apo duke ju shkuar nëpër shtëpi për t’i bindur. Gjithsesi unë jam shumë falënderues për vajzat të cilat me kanë njoftuar menjëherë dhe kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë me ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat