Malisheva ka qenë stacioni i radhës i karvanit të turneve “Ti mund ta bësh – You Can Do It” që po organizohen për të dytin vit radhazi në kuadër të aktivitetit të FFK-së “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”, projekt ky që mbështetet nga UEFA.
Sivjet ky projekt është zgjeruar në 14 qytete dhe nga ky zgjerim ka përfituar edhe Malisheva, komunë në të cilën ky turne është mbajtur për herë të parë.
Në hapje të turneut ka qenë e pranishme kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollca Krasniqi, e cila para nxënëseve dhe mësimdhënësve pjesëmarrës të këtij aktiviteti ka folur për rrjedhën e futbollit të femrave si dhe për rëndësinë që ka ky projekt.
“E kemi zgjedhur Malishevën këtë herë sepse klubi që vjen nga kjo komunë na ka dhënë një mesazh shumë të mirë në dy vjet të funksionimit të tij me rezultatet e arritura, si me ekipin e seniorëve ashtu edhe me ekipin deri në 16 vjet. Arsyeja e organizimit të këtij aktiviteti është integrimi i vajzave të reja që kanë talent për ta vazhduar karrierën më pas në futboll. Ky sport shërben edhe për ruajtjen e shëndetit tuaj, prandaj merruni sa më shumë me futboll. Ne si federatë po mundohemi të mbështesim futbollin e femrave në çdo qytet, prandaj edhe ju keni arsye që të luani mirë dhe ta shfaqni talentin e tuaj para mësimdhënësve dhe trajnerëve të futbollit. Motoja e turneut është ‘Ti mund ta bësh’ sepse deri vonë në shumë pjesë të vendit tonë futbollin e kanë luajtur vetëm meshkujt, por fatmirësisht tani gjërat kanë ndryshuar dhe futbollin po e përqafojnë gjithnjë e më shumë vajza. Ju inkurajoj që të luani futboll dhe të përfshiheni në klubet që funksionojnë në komunën tuaj dhe po ashtu edhe profesorët tuaj i inkurajoj që t’i japin sa më shumë hapësirë këtij sporti”, ka theksuar Krasniqi.
Ndërkohë, e pranishme ka qenë edhe drejtoresha për kulturë rini e sport në komunën e Malishevës, Besartë Kryeziu-Rama. Ajo tha se komuna e Malishevës do të vazhdojë të mbështesë sportin, në këtë rast futbollin, e sidomos klubin e femrave, që falë mbështetjes së komunës po ka suksese shumë të mira për dy vite ekzistencë, derisa falënderoj FFK-në për përfshirjen e Malishevës në këtë projekt. “Çdo ditë e më tepër ne shohim punën që po bëhet nga mësimdhënësit dhe trajnerët e futbollit, prandaj uroj të keni suksese dhe në këtë turne të dalin në pah sa më shumë talente”, ka shtuar ajo.
Në turne morën pjesë 10 ekipe nga shkollat e kësaj komune, kurse pas lojërave shumë korrekte, por edhe interesante, në fund fitues i turneut doli ekipi i SHFMU “Habib Berisha”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Emin Duraku”, me rezultat 3:1.
Ndeshjet e ditës së dytë u ndoqën nga afër nga menaxherja e futbollit të femrave në FFK, Valbona Uka – Gashi, e cila ndau edhe kupën dhe mirënjohjen për ekipin fitues. Si në çdo komunë tjetër, FFK ndau nga 6 topa futbolli dhe mirënjohje për të gjitha ekipet pjesëmarrëse, derisa për dy vendet e para u ndanë edhe kupa.
Rezultatet
Xhiro e parë
SHFMU “18 Prilli” – SHFMU “28 Nëntori” 3:1
SHFMU “Ismajl Qemajli” – SHFMU “Emin Duraku” 0:3
SHFMU “17 Shkurti” – SHFMU “Ismet Jashari” 3:0
SHFMU “Labinot Krasniqi” – SHFMU “Vesel Pagarusha” 0:1
SHFMU “Habib Berisha” – SHFMU “Ruzhdi Xhyliqi” 9:0
Xhiro e dytë
SHFMU “17 Shkurti” – SHFMU “Emin Duraku” 1:2
SHFMU “Habib Berisha” – SHFMU “Vesel Pagarusha” 8:0
SHFMU “18 Prilli” – SHFMU “Emin Duraku” 1:1 (1:2)
Finalja
SHFMU “Habib Berisha” – SHFMU “Emin Duraku” 3:1