Spanja më e mirë se Gjermania

Volejboll

Spanja më e mirë se Gjermania

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 10:55
Spanja më e mirë Gjermaninë

Spanja mundi Gjermaninë në takimin përmbyllës të fazës së grupeve, duke u kualifikuar për në fazën e dytë të Kampionatit Europian të volejbollit për meshkuj, që është edhe faza me eliminim të drejtpërdrejtë.

Dy vjet më parë në Poloni skuadra teutone, nën drejtimin e trajnerit italian Andrea Giani, shkoi deri në finalen e madhe, ku u mposht nga Rusia 15-13, vetëm pas setit të pestë, sidoqoftë këtë herë ekipi gjerman u kuptua qartë që nuk kishte motivimin e duhur dhe nga e gjitha kjo natyrisht përfitoi në maksimum formacioni iberik, që siguroi edhe fitoren e nevojshme për të kaluar në fazën e “knock out”-it.

Spanja që kishte fituar edhe dy përballjet e fundit ndërmjet tyre kishte nevojë patjetër për të marrë pikë të plota nga ky takim, pra skuadrës së drejtuar nga trajneri Fernando Munoz i interesonte vetëm suksesi 3-0 ose 3-1 në këtë ndeshje. Në Anversë, në një arenë të zbrazur, përpara vetëm 50 spektatorëve ekipi gjerman e filloi takimin me gjashtëshen titullare, e për rrjedhojë nënkampionët në fuqi të Europës kryesuan fazat e para të ndeshjes.

Avantazhi më i madh i Gjermanisë u regjistrua në shifrat 7-5, megjithatë pas 7 barazimeve në gjysmën e parë të setit gjërat ndryshuan shpejt, pasi Spanja u shkëput deri në 17-11, për të administruar pa shumë vuajtje epërsinë e krijuar, duke fituar setin hapës 25-22, në vetëm 26′ lojë. Seti i dytë ishte edhe seti më i gjatë i takimit.

Edhe këtë radhë gjysma e parë e setit ishte më e ekuilibruar, sidoqoftë ekipi iberik në vijim u shkëput, për të kryesuar 16-11. Në fund skuadra spanjolle i rezistoi kthimit të ekipit gjerman, për të koleksionuar edhe setin e dytë me shifrat 25-20, në 28′ gjithsej. Andrea Giani hoqi dorë nga lojtarët kryesorë, duke ulur përfundimisht në stol emra të tillë si Gyorgy Grozer, Christian Fromm, Tobias Krick, Denys Kaliberda, Lukas Kampa dhe Anton Brehme dhe për hir të së vërtetës zgjedhjet e dyta ia shpërblyen bësimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar thellë setin e tretë 25-18, shpejt dhe në vetëm 23′ lojë.

Pasi lëshuan diçka në setin e mëparshëm në setin e katërt spanjollët luajtën për gjithçka, duke luajtur gjithë shanset e tyre në këtë Euro Volley. Motivimi i skuadrës iberike sërish bëri diferencën, pasi Spanja u shkëput herët 4-1, për të vijuar më pas 16-11, 21-16, deri në mbylljen e llogarive me shifrat 25-19 dhe përfundimisht skuadra e drejtuar nga trajneri Fernando Munoz mbylli krejt takimin me rezultatin 3-1, në 103′ lojë. Përfundimisht në Grupin C u ruajt e njëjta hierarki, me Serbinë, Belgjikën dhe Gjermaninë që e mbyllën aventurën e tyre në grup respektivisht në tre vendet e para, ndërkaq Spanja kaloi për vetëm 1 pikë Sllovakinë në renditje, që i shkaktoi atë humbje të rëndë 18-16 në tie break në ndeshjen hapëse të këtij edicioni.

Në fazën tjetër Gjermania do të përballet ditën e shtunë me Holandën pikërisht në Apeldoorn, ndërsa Spanja do të masë forcat po në Holandë me skuadrën përfaqësuese të Polonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat