Mihane Gashani: Me Fushë Kosovën pretendojmë lojëra të mira

Volejboll

Mihane Gashani: Me Fushë Kosovën pretendojmë lojëra të mira

Nga: Kemajl Goca Më: 29 shtator 2019 Në ora: 15:39
Mihane Gashani: Me Fushë Kosovën pretendojmë lojëra të mira

Me Fushë Kosovën padyshim se elita e volejbollit të Kosovës është më atraktive! Volejbollistet e Fushës Kosovës po përgatiten me intensitet të shtuar që të janë sa më të përgatitura për edicionin e ri.

Image

Trajneri Elez Istrefaj dhe Mihane Gashani

“Hekurudhoret” pretendojnë të debutojnë sa më mirë në elitë dhe të janë befasia më e këndshme e kampionatit.

Klubi përbëhet me volejbolliste të reja e të talentuara, me të cilat punojnë trajnerët Istref Elezaj dhe Zijadin Obërtinca. Volejbollistja prej më të mirave në klub, Mihane Gashani, që luan në pozitën e korrektores, është e gjatë 175 centimetra, zotohet se me bashkëlojtare do të japin maksimumin për të arritur rezultate sa më mira.

Image

Gashani shprehet se pozita e korrektores i pëlqen shumë: “Për organizim më të mirë të klubit trajnerët e kanë parë që potenciali është më i madh me mbuluar pozitën e korrektores. Kështu që nuk kam hezituar edhe kam besim që mundem të mbuloj këtë pozicion. Vlen të theksohet se kjo pozitë me ka pëlqyer gjithnjë”.

“Bota sot”: Sa jeni të përgatitur për edicionin e ri?
Mihane Gashani:
Superliga e Kosovës do të jetë një sfidë e madhe për klubin e volejbollit Fushe Kosova, pasi që shumica e lojtareve janë të reja. Mirëpo po punojmë shumë lojtaret e reja, janë shumë të motivuara, ndërsa edhe ne lojtaret që kemi përvojë në Superligë do të shfaqim përvojën tonë dhe kështu së bashku pretendojmë të shfaqim lojëra të bukura.

“Bota sot”:  A mendoni në hapje të startoni me fitore?
Mihane Gashani:
Në hapje jemi mysafir i klubit të volejbollit Prishtina, ekip që ka përvojë në Superligë, por me punën që po bëhet në klub do të përpiqemi të tregojmë lojë rivalizuese.

“Bota sot”: Sa jeni e kënaqur me kushtet dhe çfarë iu motivon më shumë?
Mihane Gashani:
Kushtet deri me tani janë shumë të mira, trajnerët po mundohen të bëjnë më të mirën për ne. Ndërsa puna e përbashkët që po e bëjmë me vajzat gjithmonë është motivim për fitore, atmosfera brenda klubit është atmosferë familjare ku punohet më shumë përkushtim dhe përkrahje. Motivi kryesor i yni është që e përfaqësojmë qytetin në rangun më të lartë të garave.

Image

Fushë Kosova

“Bota sot”: Cilat janë synimet e Fushë Kosovës?
Mihane Gashani:
Klubi sivjet garon me dy kategori, seniore dhe juniore, por brenda klubit janë edhe grupmoshat U16 dhe U14 si dhe shkolla e volejbollit, pra klubi ka plane afatgjata, nxjerrjen e kuadrove sa më profesionale dhe rritja e numrit të vajzave që të merren me volejboll. Për këtë vit synimet e klubit janë mbetja në Superligë dhe kur dihet që shumica e klubeve janë me përforcime nga jashtë ne synojmë me kualitetin vendorë të mbesim pjesë e Superligës dhe jemi shumë optimiste për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat