Osmani tregon se si e shpëtuan Drenicën

Volejboll

Osmani tregon se si e shpëtuan Drenicën

Nga: Kemajl Goca Më: 22 tetor 2019 Në ora: 12:19
Osmani tregon se si e shpëtuan Drenicën

Gati sa u shua klubi i volejbollit Drenica nga Skenderaj (meshkujt). Pak kush besonte se Drenica do të shpëtonte, një numër i konsiderueshëm e parashikonin edhe shuarjen e këtij kolektivit, që nuk ka mbështetje nga askush!

Volejbollistët me përvojë në krye me trajnerin-lojtarin e palodhshëm Arbon Osmani, morën një vendim sa të vështirë aq edhe domethënëse dhe të gëzueshëm për dashamirët e sportit skofiar, vendosen të luajnë pa kushte, pa para vetëm ta ndihmojnë klubin.

Pa ndihmën e komunës, pa sponsor, vetë lojtarët u organizuan dhe ndodhi edhe mrekullia, me kushte të rënda ia dolën ta mposhtin kampionin në fuqi Lubotenin e Ferizajt me rezultat 3:1. Skuadra nga Skenderaj ka një fitore e një humbje, renditet në vend të shtatë me 3 pikë, tri me pak se lideri Theranda. Osmani tregon se si janë riorganizuar dhe e shpëtuan klubin nga shuarja.

“Bota sot”: Drenica ka rikthyer lojtarët me përvojë, janë bashkuar si kurrë më parë, si ndodhi kjo?
Arbon Osmani:
Drenica nuk i ka kthyer lojtarët, po ne iu kemi rikthyer, nga vullneti i mirë i lojtarëve. Duke e parë dështimin dhe lirish të themi shkatërrimin e klubit, të gjithë ishim të vetëdijshëm për mundin që kishim bërë me vite të tëra dhe rezultatet që kishim në të kaluarën, vendosem t’i rikthehemi klubit që ta mbajmë gjallë dhe t’ia mohojmë shuarjen.

“Bota sot”: Sa ndihmohet Drenica?
Arbon Osmani:
 Absolutisht fare, kemi zero përkrahje financiare duke mos përjashtuar disa miq, shokë, dashamirë të cilët na mundësojnë t’i mbulojnë shpenzimet për të vazhduar garat.

“Bota sot”: Fitorja me 3:1 ndaj Lubotenit, a është një motiv shtesë?
Arbon Osmani:
Fitorja ndaj Lubotenit është vetëm tregues për cilësinë që kemi në KV Drenica dhe asgjë tjetër.

“Bota sot”: Klubi është në gjendje të rëndë, por si motivohen volejbollistët?
Arbon Osmani:
Jemi të vetëdijshëm për rrugën që kemi marrë, pra 100% e lojtarëve jemi rikthyer në baza vullnetare pa kërkesa financiare apo ndonjë përfitim tjetër me të vetmin qëllim që mos ta lëmë klubin të shuhet, duke marr parasysh gjendjen shumë të vështirë që ka qenë pothuajse në shuarje.

“Bota sot”: A keni kërkuar ndihmë nga komuna dhe sponsorët?
Arbon Osmani:
Deri tani nuk kemi hasur në mbështetje, mbetet me shikuar për të ardhmen si do të rrjedhin gjërat.

“Bota sot”: Sa është vështirë të veprosh si klub në këto rrethana?
Arbon Osmani:
Sigurisht që është mjaft e vështirë pa asnjë përkrahje financiare t’i kesh gjithë këta lojtar cilësor një ekip këtë në Kosovë, mundet ta bëjë vetëm Drenica duke marrë parasysh fondin e lojtarëve vendorë që kemi.

“Bota sot”: Ju si trajner-lojtar, sa jeni i kënaqur me fondin e lojtarëve?
Arbon Osmani:
Fare e lehtë kur pjesë e klubit janë djem 100% të Skenderajt, e që do të thotë vendorë, për kënaqësinë e fondit të lojtarëve do të flasin rezultatet në vijim.

“Bota sot”: Cilat janë synimet?
Arbon Osmani:
Me pak mobilizim dhe përkrahje financiare synimet e KV Drenicës janë të qarta: luftë për çdo trofe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat