Vashat e Gjilanit dikur luanin në baltë e dukeshin kështu, sot të çmendin me poste!

Volejboll

Vashat e Gjilanit dikur luanin në baltë e dukeshin kështu, sot të çmendin me poste!

Nga: Kemajl Goca Më: 23 tetor 2019 Në ora: 12:41
Në rreshti e dytë, e para majtas Mimoza Shkodra, e katërta në të djathtë Makfire Brestovci. Ulur, e treta në të djathtë Kadrije Tosuni dhe e katërta Ganimete Gërbovci.

Sot e 22 vite më parë (1997), Kosova ishte në shtetrrethim nga pushtuesi serb!

Edhe atëkohë zhvillohej sporti i Republikës së Kosovës, që besa cilësia ka qenë shumë më e mirë, sidomos edhe në volejbollin femëror. Kur kthehesh 22 vite pas, një fotografi që e emocionon shumë jo vetëm këtë brez që u rrit nën kërcënimet e tytave të automatikëve, por që luanin në sallat e improvizuara dhe pa kurrfarë kushte e standarde, vetëm për të mbajtur gjallë sportin!

Në atëkohë këto vashat nuk i kishin mbërritur as të 20-tat por që kishin një mision: me sport ta luftonin regjimin kriminal serb dhe në anën tjetër të fitonin trofe të Republikës!

E dyta, ishin kampione dhe kampione të shumëfishta dhe shumica edhe reprezentuese të Kosovës. Po t’i pyesësh atëkohë Mimoza Shkodrën, Makfire Brestovcin, Ganimete Gërbevcin, Kadrije Tosunin, se pas 12 qershorit të vitit 1999 do të luanin në palestrat sportive dhe do të ndryshonte jeta e tyre 100 për qind, as që do të besonin dhe do t’i dukej vetja se po shkojnë në hënë.

Gjithçka ndryshoi, Serbia pushtuese u dëbua nga Kosova, vjen Liria dhe bëhet shteti, Kosova zhvillon garat në normalitet në stadiume e palestrat sportive. Mimoza, Ganja, Maki e Kadrija, me shoqe si Lumnije e Qitabije Huruglica, Alije Sylaj, Ibadete Lecaj etj. dhanë shumë. Ky brez i baltës sot janë me poste goxha të mira apo që të çmendin! Mimoza Shkodra është profesoreshë dhe nënkryetare e Federatës së Volejbollit të Kosovës, të cilës i shkon fjala dhe është shumë e respektuar jo vetëm në komunitetin sportiv!  

Kadrije Tosuni punon në Departamentin e Sportit të Kosovës, njihet për korrektësi të pashoq. Ganimete Gërbovci është presidente e klubit të volejbollit Prishtina F dhe ka një disiplinë evropiane apo i ngjan si regjimit ushtarak modern, të gjithë në rresht! Makfire Brestovci është mësuese dhe jashtëzakonisht e përkushtuar në punë e profesionalizëm.

Fundja, janë gjeneratë që vijnë nga koha e okupimit, nga koha e sakrificës dhe e rezistencës dhe sot punojnë me përkushtim, sepse ia din punës kimetin kur e marrin parasysh se çfarë kanë hequr në kohën e pushtuesit serb.

Brez që e din çka është të fshihesh e të ikësh nga pushtuesi serb, kur edhe topin ua merrte milicia serbe dhe ua ndërpriste ndeshjen.  Sakrifica dhe rezistenca që bënë atëkohë, këto edhe sot nuk din me u frikësua nga askush, e dojnë vetëm të vërtetën! Ky brez meriton statujë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat