Djaloshi nga Theranda që ka ndërruar shumë klube por ka marrë edhe një dhuratë të veçantë

Volejboll

Djaloshi nga Theranda që ka ndërruar shumë klube por ka marrë edhe një dhuratë të veçantë

Nga: Kemajl Goca Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 19:30
Djaloshi që ka ndërruar shumë klube por ka marrë edhe një dhuratë të veçantë

Në vitet e fundit është ngritur rivaliteti mes skuadrave në elitën e volejbollit të Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Në edicionin e sivjetshëm disa skuadra luftojnë për titull, por ajo që po befason të gjithë është edhe ekipi i Ferizajt, që ka një numër të mirë të lojtarëve cilësor, ndër ta edhe liberon me përvojë, therandasin Armend Berisha.  

Image

Volejbollisti nga Theranda me sukses paraqitet në petkun e ferizajasve dhe me pretendime që t’i fitojnë të gjitha trofetë e mundshme në sportin skofiar në vendin tonë. Berisha është në formën më të mirë dhe premton maksimumin në secilën sfidë.  

Është pjesë e kombëtares së Kosovës dhe ndër më të mirët. Synimet e tija janë përveç me Ferizajn që të arrijë rezultate të mira edhe me kombëtaren. Volejbollisti ka folur se si i lindi dashuria për këtë sport, kush e motivoi më shumë dhe si e sheh në përgjithësi cilësinë e këtij sportit skofiar. 29-vjeçari tregon se a e nget makinën apo jo, a ka të dashur dhe krahas volejbollit a merret edhe me ndonjë profesion tjetër. Po ashtu njihet si nga lojtarët që më së shumti ka ndërruar ekipet dhe pothuajse për çdo vit.  Në fakt, është dhe prej lojtarëve më të disiplinuar në ligë dhe që i jep edhe kurajo bashkëlojtarëve. 

Image

“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për sportin skofiar, cili u bë sebep?
Armend Berisha:
Dashuria për sportin ka lind rastësisht, nuk ka pas ndonjë familjar sportist që unë të shkoj në hapa e tyre. Unë jam shkolluar në Gjermani në fillim dhe aty kam filluar të merrem me sportin e volejbollin. Pasi jam kthyer në Kosovë sebep u bë Shemsije Asllanaj dhe Marigona Asllanaj, ish volejbolliste, rastësisht jemi taku edhe aty kam filluar të merrem me sportin dhe karrierën time sportive deri me sot.

“Bota sot”: Një periudhë mjaft të gjatë me volejbollin por edhe me familjen Asllanaj, çfarë iu lidh më shumë?
Armend Berisha:
Jemi një grup i shoqërisë, ato kanë qenë gjithmonë për mua aty sepse me kanë ndihmuar shumë në rritjen time sportive në karrierë. Ne njihemi edhe familjarisht me familjen Asllanaj. 

“Bota sot”: Deri me tash keni luajtur në shumë klube, ku e keni ndje veten më mirë?
Armend Berisha:
Këtë vit jam në klubin KV Ferizaj që po ndihem shumë shumë mirë, kemi startuar me fitore në Superligën e Kosovës. Unë jam lojtar që ndërroj ambient pothuajse çdo vit por çdo qytet ose ekip i ka të mirat dhe vështirësitë që kalon. Kam kujtime shumë të mira në çdo ekip ku kam luajtur. Ekipet, që kam luajtur unë fillimisht ka qenë në akademinë e Gjermanisë, pastaj në KV Theranda, KV AKPA Te Luzha, KV Luboteni, KV Drenica & Rukolli, KV Erzeni ( Shqipëri), KV Prishtina Volley, tani jam KV Ferizaj. 

Image

“Bota sot”: A jetohet nga volejbolli, a paguhet mirë?
Armend Berisha:
Siç dihet në Kosovë volejbolli dhe sportet tjera nuk paguhen aq mirë sa të jetohet vetëm prej sportit, por gradualisht  gjërat janë duke u rregulluar për së miri dhe për momenti në klubin e Ferizajt jemi shumë mirë me pagesa.

“Bota sot”: Cili ka qenë momenti më i mirë e më i keq për ju si lojtar deri me tash?
Armend Berisha:
Momente të mira ka shumë sepse të jesh sportist do të thotë shumë dhe është shumë privilegj i madh për mua. Momentet më të mira janë kur jemi me kombëtare, ku do të jenë kujtimet e mia të paharrueshme në jetën time, kurse momente të këqija normal që ka, do të ketë por unë jam person pozitiv dhe i marr ato shumë me sportivitet, kështu që kalohen lehtë.

“Bota sot”: Si e sheh volejbollin në përgjithësi, a ka rritje?
Armend Berisha:
Volejbolli në përgjithësi ka rritje por është gradualisht duke u rrit profesionalisht dhe me punën që po bëhet ndoshta duhet edhe pak kohë që të rregullohen gjërat tamam dhe besoj shumë se ka talent, punët me trajnerët të huaj sidomos, pastaj besoj shumë në rritjen e volejbollit të Kosovës.

“Bota sot”: A është rritur edhe më shumë motivi nga pranimi i sportit skofiar të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar?
Armend Berisha:
Unë personalisht e shoh një ndryshim prej kohës kur kemi marr pjesë në FIVB, në CEV, në Challeng Cup, Champion League, Silver League dhe vazhdojmë të marrim pjesë, normal që edhe niveli është rrit por edhe motivi gjithashtu për çdo vit që të paraqitemi sa më mirë. Megjithatë na duhet punë shumë për të arritur objektivat e klubeve dhe të kombëtares. Për të qenë një kombëtare e mirë duhet punët në klube pikësëpari, pastaj që të ketë kombëtarja suksese.

“Bota sot”: Çka synoni me Ferizajn?
Armend Berisha:
Synimet e KV Ferizajt janë të qarta, të luftojmë për të gjitha trofetë, jemi një ekip shumë e mirë, këtë vit shpresoj shumë në këtë ekip.

"Bota sot": Cilat skuadra i sheh në luftë për titull?
Armend Berisha:
Për sezonin e parë nuk mundem të them se ky do të jetë për titull sepse në sezonin dytë (pranverë) ekipet përforcohen me lojtar nga jashtë. Por ekipet që luftojnë për titull janë dy ekipet rivale të të njëjtit qytet: KV Ferizaj e KV Luboteni, pastaj KV Prishtina Volley, edhe KV Theranda, që do të ketë shumë ndryshime në janar.

“Bota sot”: Jeni pjesë e kombëtares së Kosovës, sa është vështirë të jeni vazhdimisht pjesë e saj?
Armend Berisha:
Për mua ka qenë ëndrra më e madhe që të luaj për kombëtaren e Kosovës, kjo ëndërr me është realizuar. Jam pjesë që disa vite në kombëtaren e Kosovës, jam shumë i privilegjuar që marr çdo vit ftesë që të luaj aty dhe do të luajë me gjithë dëshirë edhe viteve në vazhdim.

“Bota sot”: Me çfarë merreni, a punoni përveç si lojtar aktiv?
Armend Berisha:
Për momentin jam vetëm me sportin këtë vit, do të merrem 100 % me volejboll, kushtet që me janë ofruar në KV Ferizaj janë shumë mirë. Kështu që presim vetëm rezultate të mira.

“Bota sot”: A e keni makinë e juaj?
Armend Berisha:
Po e kam një makinë, Polo. E kam dhuratë për datëlindjen prej babait.

“Bota sot”: Beqar, apo?
Armend Berisha:
Jam në një lidhje që e kam zyrtarizuar.  

“Bota sot”: A është sportiste?
Armend Berisha:
Jo e profesionit të sportit por profesionit të mjekësisë. 

“Bota sot”:  Sa e keni përkrahjen e të dashurës në sport, apo e urren ajo sportin shkaku që është me profesion mjeke?
Armend Berisha:
Përkrahjen e kam shumë të madhe, normal ajo është në çdo ndeshje, e kam aty. Aspak se urren sportin, volejbolli i pëlqen shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat