Anulohet derbi

Volejboll

Anulohet derbi

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 10:20
Anulohet derbi

Erzeni-Partizani duhet të luhej mbrëmjen e djeshme, në orën 19:00, në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt (Shijak), takimi i kthimit, i vlefshëm për “Challenge Cup”, në volejboll për meshkuj. Gjithsesi, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar nga ana e Federatës Europiane të Volejbollit (CEV), për shtyrjen e sfidës. 

Sigurisht që qeveria kontinentale e rrjetës nuk mund të dilte kundër rrymës, duke parë panikun me të cilin po përballet në 24 orët e fundit Shqipëria dhe shpalljes së ditës së zisë nga ana e qeverisë shqiptare. Prandaj, edhe nëse në disa raste thuhet se sporti kalon përtej tragjedive, në këtë rast nuk ishte vendi për të menduar për diçka të tillë, duke qenë se edhe gjendja psikologjike që kishte goditur jo vetëm volejbollistët e Erzenit e Partizanit, por edhe të stafeve teknike dhe gjithkujt tjetër, ka bërë që takimi të shtyhet. Të dyja palët sigurisht që kanë qenë dakord me këtë vendim të ardhur në orët e vona dhe në këtë mënyrë të gjithë do të kenë mundësinë që t’u qëndrojnë më pranë familjeve të tyre. Ndërkohë, për sa i përket zhvillimit të takimit, në orët e ardhshme Federata Europiane e Volejbollit do të mblidhet për të caktuar një datë të re.

Ndonëse në Shqipëri kishin mbërritur edhe dy arbitrat kryesorë që ishin përcaktuar për sfidën mes Erzenit dhe Partizanit, moldavi Veaceslav Prozorov dhe turku Tunçaj Kandemir, një vendim për shtyrjen e derbit shqiptar të rrjetës në volejboll, i vlefshëm për turin e dytë të kompeticionit europian, ka bërë që udhëtimi i tyre të shkojë dëm, por sigurisht që mirëkuptimi ka qenë unanim, duke parë se edhe vetë arbitrat do jenë traumatizuar nga tërmeti, ose më saktë tërmetet e ditës së martë.

Gjithsesi, ashtu sikurse e kërkonte edhe procedura teknike e ndeshjes, Partizani i drejtuar nga trajneri i mirënjohur, Ylli Tomorri, pavarësisht situatës së panikut në vend, e kreu dje stërvitjen e fundit në parketin e “Dhimitraq Gogës”, si një lloj përshtatje me fushën e lojës.

Ndërkaq, vëzhguesi i Federatës Europiane të Volejbollit, Albens Vokopola, veç mbledhjes teknike me gjyqtarët dhe drejtuesit e ekipeve, ku siç e kërkon procedura dorëzohen listat e lojtarëve së bashku me pasaportat, i patën bërë verifikimet e sallës për të parë pasojat që kishte lënë tërmeti i të martës, por prisnin vendimin final.

Madje, gjatë inspektimit, pronarët e impiantit shijakas kishin dhënë garanci mbi strukturën ku pritet të zhvillohej sfida Erzeni-Partizani, por gjithsesi Federata Europiane e Volejbollit, afërsisht rreth orës 21:40 të mbrëmjes lajmëroi klubet se ndeshja do të shtyhej në një datë të pacaktuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat