Naser Krasniqi paralajmëron një M-Technologie të fuqishme

Volejboll

Naser Krasniqi paralajmëron një M-Technologie të fuqishme

Më: 12 janar 2020 Në ora: 13:50
Naser Krasniqi paralajmëron M-Technologie të fuqishme

Njohësit e volejbollit presin një pranverë interesante në mes skuadrave që do të luftojnë për titullin e kampionit të Kosovës në konkurrencën e femrave.   M-Technologie nga Prishtina është prej skuadrave më të organizuara në vendin tonë dhe janë nënkampion vjeshtor.  

Kryetrajneri i kësaj skuadre Naser Krasniqi punon me përkushtim në komponimin e ekipit për pjesën e dytë të kampionatit dhe njëherësh t’i fitojnë të gjitha trofetë e mundshme. M-Technologie ka filluar përgatitjet të cilat shkojnë sipas planit të paraparë nga kryetrajneri i palodhshëm Krasniqi, që ka synimetitullin dhe Kupën e Kosovës.

M-Technologie është në vend të dytë me 24 pikë, ngec një pikë nga liderja Skenderaj, ka një më shumë se Kastrioti dhe gjashtë se kampionia në fuqi Drita e cila renditet në pozitën e katërt.

Image

Naser Krasniqi

 Krasniqi është i kënaqur me kushtet dhe me fondin që e ka të volejbollisteve, disa me përvojë e disa të talentuara. “Klubi ynë përgatitjet për sezonin pranveror i ka filluar me datën 10 janar. Sipas plan-programit dhjetë ditë e para do të jenë stërvitje kondicionale me intensitet të lartë. Kushtet në të cilat klubi zhvillon aktivitetin e vet janë të kënaqshme. Ushtrimet paradite zhvillohen në fitnesin e njohur “Five Star” dhe pasdite në palestrën e shkollës fillore ‘Xhemajl Mustafa’.

Vlen të ceket se në këtë palestër kemi bërë disa investime të domosdoshme ku kemi investuar në ndriçimin lled në palestër si dhe kemi bërë rrafshimin e parketit , llakirimin me llak special për palestra dhe ngjyrosjen e tij. Kjo u bë e mundur me ndihmën e një kompanie private që në mënyrë vullnetare na ka ndihmuar ta realizojmë këtë projekt.

Normalisht që do të ishte e padrejtë mos ta përmendim stafin udhëheqës të shkollës që na i ka dhënë mundësinë për ta zhvillu aktivitetin tonë e posaçërisht meritor për këtë është profesori i edukatës fizike Besnik Muqolli që përkujdeset që çdo gjë të jetë në rregull në lidhje me palestrën. Me një fjalë kushtet që ne i kemi për punë janë kontribut i vet neve si drejtues të klubit së bashku me presidentin tonë z. Rrustem Pacollin i cili është meritori për të gjitha këto risi në klubin tonë. Sa i përket fondit të lojtareve mund të them se deri diku jemi të kënaqur por mendoj se kemi mundësi të jemi më mirë”, tha Krasniqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Është luftë e ashpër për titullin e kampionit mes M Technologie, Skenderajt, Kastriotit, Dritës, a mendoni se do ta bëni dallimin në pranverë ndaj rivaleve?

“E vërtet është se kjo sezon pranverore do të jetë shumë rivalizuese. Ekipet kanë pretendimet e tyre maksimale për të arritur deri te caku, pra për të ngadhënjyer për Kupë dhe titull. Mendoj se do të jemi më mirë se në vjeshtë dhe se do të jem pretendent real për titull”, përgjigjet Krasniqi.  

Më tej ai flet edhe për rivalen më të madhe që e ka për titullin e kampionit: “Sa i përket asaj se kush do të jetë rivali ynë duhet të jemi real dhe të themi se të katër ekipet e para janë me gjasa të barabarta, kurse dallimi është në nuanca. Këtë e dëshmoj Kupa e Federatës ku çdo lojë në mes katër ekipeve ka mbaru me rezultat të ngushtë (3:2) që do të thotë se rivaliteti do të jetë si kurrë më parë, e kjo është mirë për volejbollin e Kosovës!

Kjo na tregon se kemi ngritje të cilësisë dhe shtim të interesimit për investime nga kompanitë e mëdha në sportin e volejbollit. Sipas renditjes tabelare ku ne jemi të pozicionuar në vend të dytë me një pikë me pak se kryesuesi atëherë sipas kësaj rivale kryesore në njëfarë mënyre e konsiderojmë KV Skenderajn, por nuk i dihet mund të ketë ndryshime në fondin e lojtareve gjatë këtij muaj andaj vlen të shihet”.

 A keni nevojë për përforcime dhe a do të jetë viti që do t'i fitoni të gjitha trofetë? “Normalisht ne jemi duke bërë përpjekje të sjellim lojtare cilësore në ekip por kjo akoma nuk është definitive! Jemi në bisedime akoma.

Nga klubi kemi liruar lojtaren braziliane Ana Cecilia dhe në vend të saj presim të vij një lojtare cilësore që do t’i përmbush kërkesat tona. Sa i përket trofeve pra Kupës dhe titullit mund të them lirisht se jemi të etur për titull dhe se ambiciet tona këtë vit janë maksimale. Kjo gjithmonë nuk varet vetëm nga dëshira e jonë sepse ky vit është një ‘luftë’ e vërtet për titull, çka do ta bëjë garën shumë më interesante dhe të padefinuar gjer në fund”, përfundoi Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat