Prenga refuzon ekipin shqiptar: Jemi bërë si familje me Dritën

Volejboll

Prenga refuzon ekipin shqiptar: Jemi bërë si familje me Dritën

Nga: Kemajl Goca Më: 22 janar 2020 Në ora: 17:25
Prenga refuzon ekipin shqiptar: Jemi bërë si familje me Dritën

Volejbollistja e spikatur, Adelajda Prenga, me gjithë ofertat nga Shqipëria, i qëndron besnike kampiones së Kosovës, KV Drita nga Gjilani! Prenga ka qenë në negociata me një klub nga Shqipëria, por e kishte një arsye shumë të fortë që nuk u largua nga klubi, me të cilën ka shijuar të gjitha trofetë e mundshme në vendin tonë.

“Për të thënë të vërtetën, unë kam qenë shumë afër për t’u bërë pjesë e një ekipit në Shqipëri.

Por duke qenë se në ekipin e Dritës tashmë është krijuar një grup edhe frymë shumë e mirë e punës edhe me korrektësinë e presidentit Jakup Shabani vendosa të jem deri në fund të sezonit me Dritën”, tha Prenga për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Prenga nuk e fsheh se cili klub kërkojë shërbimet e saja.

Image

“Ekipi i Mirditës ishte ai që më bëri ofertë, realisht shumë të mirë. Është edhe ekipi i vendlindjes time ku unë para 8 vitesh kam dal kampion me atë ekip edhe ku ruaj vitin më të bukur në Shqipëri”, tregon Prenga.

Reprezentusja e Kosovës ka fjalë miradije për klubin nga Gjilani, sipas saj janë sikur një familje: “Në fakt, ne jemi bërë si familje me Dritën sinqerisht sepse 7 vite nuk janë  pak. E para, edhe kryesorja për mua është puna që e bëjmë për gjithë këto vite me dëshirë e përkushtim bashkë me të gjitha vajzat”.

Adelajda gati po e bën edhe një dekadë dhe e ndjen veten shumë mirë, por nuk duhet harruar faktin se një periudhë edhe motrat e saja, si Amarilda e Arjola, e kishin veshur fanellën e klubit. Volejbollistja nga Rrëshqeni tha se synimet e Dritës si gjithmonë janë trofetë: “Si gjithmonë synimet tona janë shumë të mëdha sepse puna bëhet e tillë por këtë vit kampionati është shumë i fortë edhe është shumë më mirë kur ka ndeshje të forta ku rezultati është i paparashikuar”. Drita është në vend të katërt me 18 pikë gjatë stinorit vjeshtor por me synime që të mbrojë titullin e kampionit.

“Tani që fillon faza e dytë do të jetë çdo gjë ndryshe për sa i përket ekipit tonë. Do të jetë akoma më i kompletuar. Dritën nuk e ndëshkon vendi i katër përveçse na motivon për të arritur ato qëllime që kemi gjatë rrugës deri në fund të kampionatit”, tha ajo.

Image

Volejbollistja më përvojë tha se ky edicion është më ndryshe nga ato të kaluarit. “Mendoj që këtë vit është ndryshe nga vitet e tjera sepse të 4-ta ekipet janë të forta edhe ka shumë rivalitet që kjo gjë është shumë e mirë për të gjithë ne”, përfundoi Adelajda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat