Lajçi: Jemi të bindur vetëm për fitore ndaj Ferizajt

Volejboll

Lajçi: Jemi të bindur vetëm për fitore ndaj Ferizajt

Nga: Kemajl Goca Më: 5 mars 2020 Në ora: 18:42
Skënder Lajçi

Në fillim të javës së ardhshme përkatësisht në ditën e hënë (me 9 mars, në orën 19.30), do të ndeshen mes vete dy skuadrat më të forta në elitën e volejbollit, Prishtina Volley-Ferizaj. Ferizajasit udhëheqin kreun me 29 pikë, duke lënë pas Prishtina Volleyn me 26 sosh pas 11 jave të luajtura.

Kryendeshja pritet me emocione, për faktin se luftohet edhe për vend të parë. Volejbollisti me përvojë Skënder Lajçi, kapiten i Prishtina Volley, me qetësi e pret këtë sfidë dhe kërkon maksimumin nga bashkëlojtarët e tij.  Kryendeshja që do të luhet në Prishtinë, është të jesh apo të mos jesh.  

“Ne kemi zhvilluar dy xhiro në këtë sezon dhe forma e lojtarëve është vërtetë shumë e mirë, por sigurisht që në vazhdimësi ne planifikojmë dhe shohim se do të kemi akoma mundësi për t’u ngritur në formë duke pasur parasysh edhe kohën në dispozicion për vazhdimin e përgatitjeve dhe shumë ndeshje që na presin në vazhdim”, tha Lajçi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kapiteni i prishtinasve shprehet se janë të përgatitur maksimalisht dhe po ashtu e kanë edhe përparësi faktorin fushë: “Këtë javë do të zhvillohet derbi i javës në Prishtinë kundër KV Ferizajt. Në radhë të parë do të thoja se në skuadër kemi lojtar me përvojë të mjaftueshme, si pikë e fortë për t’u përballur me lojë derbi e deri tek fitimi i trofeve.

Kemi një organizim të mirë të lojës, përgatitjet nuk na mungojnë dhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha elementet e përgatitura, si mbrojtja, sulmi etj. që besoj do të na sjellin në avantazh kundër ekipit kundërshtarë. Në këtë ndeshje e dimë që ekipi kundërshtar në përbërje (në këtë kampionat) ka edhe një lojtar nga Brazili, por ne jemi të bindur vetëm për fitore”.

Çfarë e dallon Prishtina Volley nga ekipet tjera dhe cilat i sheh për titull? “Prishtina Volleyn besoj se e dallon loja më e shpejt që organizohet nga lojtari me eksperiencë Adriatik Kajtazi, i cili njëherit është edhe lojtari më i mirë i shpallur për vitin që shkoi, gjithashtu shfrytëzimi i lojtarëve të shpejtë e të fuqishëm që i posedon për sulm është një nga karakteristikat e ekipit që e dallon me ekipet tjera.

Sa i përket ekipeve favorite për titull tanimë është bërë e qartë, jemi tri ekipe konkurrente, KV Prishtina Volley, KV Ferizaj dhe KV Luboteni”, nënvizoi Lajçi,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat